Mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti mund të veshë fanellën e Interit në sezonin e ardhshëm.
Futbollisti 28-vjeçar vlerësohet së tepërmi nga trajneri i zikaltërve Simone Inzaghi, i cili mendon se do të sjellë më shumë siguri në mbrojtjen me tre futbollistë që ai aplikon.
Gjimshiti luan me të njëjtin modul tek Atalanta, ku ka treguar se është një futbollist i besueshëm, i aftë që të zgjidhë situata të komplikuara.
Nga ana tjetër, tekniku i Interit nuk është aspak i kënaqur me futbollistin e tij Stefan De Vrij. Mbrojtësi holandez e ka vënë në vështirësi ekipin, ndërkohë që kontrata i mbaron në verën e 2023-it. Drejtuesit e klubit nuk janë të bindur që të rinovojnë me 30-vjeçarin, ndërsa interesim për të ka shfaqur Totenhemi. Në të tillë situatë, de Vrij mund të largohet në fund të sezonit.
Atalanta është gati që ta lërë të lirë Gjimshitin nëse në vend të tij merr sulmuesin e ri Andrea Pinamonti në pronësi të zikaltërve. Tekniku i bergamaskëve Gian Piero Gasperini e pëlqen së tepërmi sulmuesin 22 -jeçar të huazuar tek Empoli, që në 24 takime ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë 1 asist.


