Sporti

Interi ‘harron’ finalen, gati një mesfushor për Inzaghin

06/12/2023 09:26
nga:E K

Inter nuk ka kohë të ‘qajë’ humbjen në Ligën e Kampionëve, pasi drejtuesit kanë nisur menjëherë punën për të përforcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm.

Franck Kessie duket se është objektivi I madh për mesfushën dhe Marotta e Ausilio kanë nisur prej javësh negociatat me Barcelonën.

Zikaltrit kanë ofruar këmbimin kokë më kokë me njërin mes Dumfries dhe Correas, teksa katalanët nga ana tjetër kërkojnë kartonin e kroatit Marcelo Brozovic.

Drejtuesit e Barcelonës ishin në Stamboll për finalen dhe mediat italiane konfirmojnë se ka pasur edhe një takim me homologët e Interit, por nuk dihen ende detajet e bisedimeve mes palëve.

Fjalën e fundit pritet ta thotë trajneri Simone Inzaghi, që me përshtatjen e Calhanoglu para mbrojtjes, mund të pranojë të heqë dorë nga Brozovic, në mënyrë që të shtojë më shumë muskuj me Kessie në mesfushë.

Gjithsesi negociatat duhet të bëhen shpejt, pasi Barcelona dëshiron të shesë Kessie brenda 30 qershorit, në mënyrë që të rregullojë bilancin financiar të sezonit që sapo u mbyll.