Sporti

Interi dhe Barcelona po përgatisin një shkëmbim spektakolar, i takon Memphis Depay të vendosë!

01/16/2023 08:17
nga:Lorik J

Sulmuesi holandez Memphis Depay mesa duket do të largohet nga Barcelona tashmë në afatin kalimtar të janarit dhe mediat spanjolle bënë të ditur se në ditët në vijim mund të ketë një shkëmbim të papritur mes klubit katalanas dhe Interit, të cilët shfaqën interes për këtë futbollist.

Ka pasur spekulime se ai mund të qëndrojë deri në fund të sezonit për t’u larguar nga Barça pa kompensim, por duket se Depay tashmë mund të paketojë valixhet dhe të ndryshojë klub në ditët e ardhshme, përcjell GazetaBlic Sport.

Gazetari i respektuar Gerard Romero ka bërë të ditur mbrëmë se Interi ka shfaqur interesim të madh për Depay, i cili dëshiron ta sjellë atë tashmë në janar dhe se drejtuesit e klubit nga Milani tashmë kanë kontaktuar me klubin katalanas.

Romero njoftoi se Interi papritur iu bashkua luftës për Depay dhe se negociatat me Barcelonën tashmë kanë filluar dhe se ata thuhet se i kanë ofruar Barçës një shkëmbim lojtarësh dhe shpresojnë se do të bien dakord.

Interi dëshiron Depay dhe është gati të dërgojë në drejtim të kundërt Joaquin Correan, i cili ashtu si Depay nuk ka kohën më të mirë të lojës te Interi.

Në Barcelonë, siç pretendon Romero, janë të kënaqur me atë që ofron Interi dhe tashmë i takon Depay, i cili duhet të japë dritën jeshile për këtë transferim dhe të pranojë të vazhdojë karrierën në Meazza, ku edhe përballet me konkurrencë të ashpër.

Për shkak të konkurrencës në sulm, Depay mund të refuzojë të shkojë në Inter sepse aty do të luftonte për një vend në sulm me Lautaro Martinez, Edin Dzeko dhe Romelu Lukaku.

/GazetaBlic Sport