Sporti

Interi blindon portën për sezonin e ri, prenotohen vizitat për gardianin spanjoll

06/28/2024 21:50
nga:E K

Interi blindon portën për sezonin e ri. Pas dështimit për të marrë brazilianin Bento, zikaltrit kanë arritur marrëveshjen për të sjellë në Milano spanjollin Josep Martinez, i cili prej dy sezonesh po shkëlqen te Genoa.

Media italiane bën me dije se klubi zikaltër ka prenotuar vizitat mjekësore të portierit të martën e 2 korrikut në Milano dhe më pas pritet që Martinez të bëjë edhe prezantimin zyrtar, për ta nisur sezonin e ri nën urdhrat e Simone Inzaghit.

Për Martinez Interi do të paguajë te Genoa 13 milionë euro menjëherë dhe 2.5 të tjera në formë bonusesh, ndërsa 26-vjeçari pritet të firmosë një kontratë që do ta mbajë zikaltër deri në verën e 2029-ës.

Plani i drejtuesve të Interit është që këtë sezon Martinez të alternohet me zviceranin Sommer për të qenë gati të bëhet titullar i padiskutueshëm sezonin e ardhshëm, atëherë kur helveti të ketë 37 vite mbi supe.

Josep Martinez është rritur në akademinë e Barcelonës dhe ka luajtur në disa klube në Spanjë, teksa diferencën e bëri te Genoa fillimisht në Serinë B e më pas në Serinë A. Krahas pritjeve të panumërta, spanjolli është vlerësuar maksimalisht edhe për lojën me këmbë, duke qenë një vlerë e shtuar për qarkullimin e topit.