Lajme

Interesim i ulët për vaksinim: MSH-ja synon objektet fetare e shkollat

11/18/2021 16:32
nga:M K

Qendra kryesore për vaksinim kundër koronavirusit në Prishtinë, Salla “1 Tetori”, të enjten (18 nëntor) ishte bosh në orët e paradites.

Interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar vazhdon të jetë i ulët.

Nga 20 mijë doza të vaksinave të administruara gjatë një dite në muajin shtator, në 10 ditët e fundit në Kosovë administrohen mesatarisht rreth 2,100 doza të vaksinës.

Në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë dhënë 1,760 doza të vaksinës.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit dhe deri më 18 nëntor më shumë se 753 mijë qytetarë – apo mbi 41 për qind e popullatës së përgjithshme i ka marrë nga dy doza të vaksinës.

Vaksinimi në Kosovë tani bëhet pa termin dhe lejohet për të gjitha moshat mbi 12 vjeç.

Vaksinat që jepen në Kosovë janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se përmes vizitave derë më derë, kjo ministri po synon rritjen e numrit të të vaksinuarve. Po ashtu, kjo ministri thotë se janë duke bërë përgatitjet për vaksinim nëpërmjet ekipeve mobile edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në institucione fetare dhe në shkolla.

“Ministria e Shëndetësisë iu bën thirrje për vaksinim atyre që nuk e kanë bërë këtë, sepse tashmë kemi edhe praninë e variantit Delta Plus në Kosovë dhe mosvaksinimi do të ishte një shans i madh i humbur në dëm të shëndetit individual dhe kolektiv të popullatës”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë për Radion Evropa e Lirë.
Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë mbetet i ulët, pavarësisht se shkalla e infeksionit me COVID-19 në rajon dhe më gjerë është e lartë.

Në 10 ditët të fundit në Kosovë janë shënuar 102 raste të reja dhe dy raste me të vdekur.

Kurse, vetëm më 17 nëntor, Shqipëria shënoi 616 raste të reja dhe 10 vdekje, Maqedonia e Veriut 476 raste të reja dhe 13 vdekje, Serbia 3,600 raste dhe 56 vdekje, Mali i Zi 403 raste dhe 10 vdekje.

Pikërisht për shkak të infeksionit të lartë në rajon, profesionistët shëndetësorë në Kosovë kanë thënë se situata epidemiologjike është jostabile. Kësaj i kontribuon edhe fakti se varianti Delta i koronavirusit, i cili është më ngjitës, është dominues në Kosovë.

Po ashtu, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, “ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus”. Më 10 nëntor, autoritetet shëndetësore kanë identifikuar 12 raste me variantin Delta Plus të koronavirusit, nga 59 mostra.

Ky variant është identifikuar nga shkencëtarët britanikë në muajin shtator, dhe për shkak se nuk është variant që përbën interesim apo shqetësim ende, ai nuk është emërtuar zyrtarisht sipas një shkronje të alfabetit grek, sikur variantet e tjera brengosëse.

Sipas të dhënave të Shërbimit Spitalor në klinikat COVID-19 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e përgjithshme, në trajtim spitalor janë 41 pacientë, 13 pacientë me COVID-19 dhe 28 të tjerë post-covid.

Në Klinikën Infektive më 18 nëntor janë duke u trajtuar vetëm 4 pacientë me COVID-19.

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, tha për Radion Evropa e Lirë se situata aktuale është e qetë, porse klinika është mobilizuar sikur të kishin shumë pacientë.

“Jemi duke i adaptuar hapësirat spitalore që eventualisht do të mbushen me pacientë. Uroj të mos ndodhë ky skenar, por ne duhet të përgatitemi se nuk mund të jemi imun ndaj situatës epidemiologjike që po ndodh në rajon dhe Evropë”, tha Vishaj.

Duke u nisur nga situata epidemiologjike në rajon dhe Evropë, Vishaj u bëri thirrje qytetarëv të Kosovës që të vaksinohen.

“Ne jemi pjesë e rajonit dhe Evropës dhe gjithsesi situatat epidemiologjike që ndodhin në rajon do të vijnë edhe në vendin tonë. Deri më sot në luftë kundër COVID-19, arma më efikase që e kemi në dorë është vaksinimi”, theksoi ai.

Evropa ka parë një rritje prej 50 për qind të infeksioneve që nga tetori, pavarësisht disponueshmërisë së lartë të vaksinave kundër COVID-19.

Në disa vende të Evropës si Gjermania, Republika Çeke dhe vende të tjera është raportuar këtë javë për shifra rekorde të të infektuarve.

Gjermania ka thyer rekordin e saj të enjten, më 18 nëntor, pasi autoritetet e këtij shteti kanë regjistruar 65,371 raste të reja të infektimit me koronavirus gjatë 24 orëve. Komiteti për Vaksina në Gjermani ka rekomanduar të enjten dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit për të gjithë personat mbi moshën 18-vjeçare.

Austria më 14 nëntor ka vendosur në izolim miliona persona që nuk janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dy arsye kryesore pse Evropa, por edhe Azia Qendrore, janë në një situatë kaq të vështirë është mbulimi i pamjaftueshëm i vaksinimit dhe masat relaksuese të kufizimit shëndetësor dhe social.

Normat e vaksinimit kanë rënë muajt e fundit në Evropë dhe ato ndryshojnë shumë nga vendi në vend. Për shembull, deri në muajin tetor në Spanjë, pothuajse 80 për qind e popullsisë ishte vaksinuar, në Gjermani 66 për qind dhe në Rusi vetëm 32 për qind.