Sporti

Inter vazhdon me formë spektakolare, e shpartallon edhe Atalantan

02/28/2024 22:44
nga:Mergim Rreci

Inter-i është bërë një skuadër që di vetëm të triumfojë në vitin 2024, ndërsa pas fitores 4-0 ndaj Atalanta-s, numëron suksesin e 11-të radhazi në të gjitha kompeticionet.

Skuadra e Inzaghi-t diktoi ritmin e sfidës, e cila ishte e prapambetur nga raundi i 21-të i Serie A, ndërsa triumfoi me “poker”.

De Ketelaere pati mundësinë për të zhbllokuar takimin në minutën e 11’, por goli i tij u anulua pas verifikimit në VAR për prekje të topit me dorë nga Miranchuk.

Goli i parë i kësaj ndeshje erdhi në minutën e 26’, me Darmian që kaloi vendasit në avantazh, teksa në minutën e 45+1’ Lautaro dyfishoi avantazhin për “zikaltërit”.

Inter fitoi penallti në fraksionin e dytë, me Lautaro Martinez që humbi goditjen nga pika e bardhë në minutën e 54’, por Dimarco u gjend menjëherë në vendin e duhur dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke trefishuar avantazhin e skuadrës së tij.

Ndeshja u vulos nga Frattesi, i cili u aktivizua në minutën e 62’, teksa 10 minuta më pas bëri “poker” për ekipin e tij, por u zëvendësua vetëm një minutë më pas prej një dëmtimi.

Pas këtij triumfi, Inter vazhdon të mbajë ritmin pozitiv, duke numëruar vetëm fitore për vitin 2024 dhe kryeson Serie A me 69 pikë. Atalanta nga ana tjetër renditet në vend të pestë me 46 pikë.

Sa u përket lojtarëve të kombëtares shqiptare të futbollit, Asllani për Inter-in dhe Gjimshiti për Atalanta-n luajtën nga minuta e parë dhe u shfaqën në formë të mirë.