Paneli i fundit i diskutimit në Shtëpinë e Kosovës në Davos, mbajti titullin, Inteligjenca Artificiale për Njerëzimin: Inovimi etik në Epokën e Inteligjencës.
Ky bashkëorganizim me Universitetin e Oksfordit, filloi me fjalën hyrëse të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe më tej me diskutimin në panel me ekspertë ndërkombëtarë të fushës së inteligjencës artificiale.
Në adresimin e tij, kryeministri shprehu se për Kosovën, promovimi i vlerave demokratike nuk është thjesht prioritet i qeverisë por gjithashtu një burim krenarie kombëtare – një pjesë thelbësore e identitetit tonë si shtet dhe si popull.
“Në vitet e fundit, ne kemi bërë përparim të rëndësishëm në rrugëtimin tonë të transformimit digjital. Vitin e kaluar, Kosova arriti lidhje të plotë të brezit të gjerë me internet për të gjitha fshatrat e saj, duke e bërë atë lider jo vetëm në rajon por edhe në mbarë Evropën në hedhjen e themeleve për rritje gjithëpërfshirëse. Shfaqja e teknologjisë 5G është duke u zhvilluar mirë, me 65% të mbulimit brenda vendit tashmë. Ndërkohë, qendrat tona të inovacionit, si Parku i Inovacionit dhe Trajnimit prej 40 hektarësh në Prizren dhe TechPark në Prishtinë, po bëhen inkubatorë të kreativitetit dhe ndërmarrësisë”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri shtoi se Kosova është e përkushtuar për një të ardhme ku teknologjia i shërben njerëzimit, e në bashkëpunim me sektorin privat, akademitë dhe shoqërinë civile, mund të dizajnojmë sisteme të inteligjencës artificiale që pasqyrojnë vlerat tona, prioritizojnë gjithë përfshirjen dhe fuqizojnë pasurinë e kulturës njerëzore.
“Ne duhet të punojmë së bashku për t’u siguruar që inteligjenca artificiale mbetet katalizator për inovim etik, rritje të qëndrueshme dhe një botë më të mirë”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.