Sporti

“Intelektualët” rikthehen pranë Dritës, mobilizohen për ndeshjen evropiane

08/13/2024 18:03
nga:Mergim Rreci

Drita po bëhet gati për njërën nga sfidat më të rëndësishme në histori të klubit.

Të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, gjilanasit luajnë kartën e fundit për një biletë që dërgon në finale të kualifikimeve në UEFA Conference League.

Për ta mbështetur skuadrën në ballafaqimin ndaj FK Audas, tifozët e tre herë kampionit të Kosovës kanë paralajmëruar udhëtim masovik drejt kryeqytetit.

Kjo do të jetë hera e parë që 24 Prilli, që “Intelektualët” kthehen në tribunë, në mbështetje të ekipit të zemrës. Kjo meqë pas ndeshjes së vlefshme për Kupën e Kosovës, ku Drita u mposht nga Prishtina, kishte një mal të tërë ndasish mes klubit dhe tifozëve, por duket që pesha e duelit evropian ka bërë që ato të tejkalohen, të paktën në këtë fazë ku skuadra gjendet.

Tifozët ‘bardhë e kaltër’ kanë ditur në të kaluarën që të krijojnë atmosferë fantastike në Prishtinë, sa herë kanë udhëtuar për ta përkrahur Dritën.

Ndeshja e kthimit në kuadër të rrethit të tretë eliminator në UECL, ndërmjet Dritës dhe Audës, zhvillohet më 15.08.2024 dhe fillon në orën 20:00. Përballjen e parë në Letoni e fituan vendasit 1-0. Skuadra që e kalon turin, lufton në Play-Off për një vend në fazën e grupeve.