“Duke pasur parasysh rëndësinë që ka procesi zgjedhor brenda një sistemi demokratik dhe duke vlerësuar rëndësinë e monitorimit të pavarur, të paanshëm dhe profesional, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) do të vëzhgojë më 28 dhjetor, nga perspektiva e të drejtave të njeriut, Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025, në gjithë territorin e vendit”, thuhet në njoftim.
Bazuar në mandatin që ka, IAP, përveç qendrave të rregullta të votimit, do të vëzhgojë procesin e votimit në institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare dhe shtëpitë integruese në bashkësi.
Po ashtu, IAP do të mbajë të hapur gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve Zyrën Qendrore në Prishtinë, për të pranuar ankesat eventuale përkitazi me pretendimet për shkelje të të drejtave të garantuara me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të procesit të votimit.


