Lajme

Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

11/15/2024 16:23
nga:Y I

Një shtetase e Taxhikistanit, e cila ka jetuar në Kosovë për më shumë se 20 vjet, po përballet me një urdhër dëbimi nga Kosova për arsye që nuk janë bërë publike zyrtarisht.

Megjithëse mediat lokale raportuan se ajo dyshohet për spiunazh për Rusinë, institucionet e Kosovës janë mbyllur për të dhënë informacion lidhur me këtë çështje, ndërsa ajo aktualisht po mbahet në një qendër të paraburgimit për të huajt, raporton Radio Evropa e Lirë.

Familjarët e saj në Taxhikistan kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë qenë në kontakt me të.

Sitora Atomamadova, një grua nga Taxhikistani që ka jetuar prej vitesh në Kosovë, po mbahet në Qendrën e Paraburgimit për të Huajt në Vranidoll, pranë kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, pasi ka marrë një urdhër dëbimi nga Kosova.

Kjo qendër është vend i caktuar për shtetasit e huaj që, për një arsye ose tjetër, presin dëbimin ose kalojnë nëpër kontrolle të ndryshme nga institucionet e Kosovës.

Në fillim të nëntorit, Atomamadova, sipas avokatit të saj, u arrestua pasi autoritetet e Kosovës refuzuan kërkesën e saj për shtetësi dhe i hoqën lejen e qëndrimit të përhershëm në Kosovë.

Më 5 nëntor, mediat lokale raportuan se Atomamadova dyshohet të ketë lidhje me spiunazhin rus, megjithëse deri tani nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë.

Radio Evropa e Lirë mësoi se shtetasja taxhikase u arrestua pas urdhrit të dëbimit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, i cili, sipas avokatit të saj, Labinot Vata, është lëshuar pa shpjegime.

“Ligji e jep të drejtën që mos të japin arsyetim (në vendim) kur institucionet e sigurisë të Kosovës japin mendim që ajo është me rrezik për sigurinë e Kosovës”, tha Vata.

Megjithatë, sipas tij, “nuk ka ndonjë dëshmi ose provë që (institucionet) kanë ose së paku që na kanë njoftuar neve që ajo është (përbën) rrezik për sigurinë e Kosovës”.

Ai, gjithashtu, shtoi se Atomamadova nuk ka çështje të hapura me sistemin e drejtësisë në Kosovë. Prokuroria Themelore dhe ajo Speciale në Prishtinë, po ashtu, kanë konfirmuar për REL-in se nuk ka kanë rast të hapur ndaj saj.

Avokati i Atomamadovës, Vata, tha se ka apeluar kundër urdhrit të dëbimit për Atomamadovën dhe revokimit të lejes së qëndrimit të saj. Aktualisht, ai është në pritje të vendimit.

Në të njëjtën kohë, Atomamadova ka aplikuar për azil dhe është duke kaluar nëpër procedura shqyrtimi nga institucionet e Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion shtesë për rastin, e as Policia e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë gjithashtu kontaktoi Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës, e cila sipas ligjit kryen kontrolle sigurie për të huajt, për të pyetur nëse kanë dhënë ndonjë opinion për këtë rast, por nuk mori përgjigje para publikimit të këtij artikulli.

Kush është Sitora Atomamadova dhe çfarë ka bërë në Kosovë?

Megjithëse aktualisht nuk është e disponueshme për një intervistë të drejtpërdrejtë, avokati i saj i tha REL-it se klientja e tij ka jetuar në Kosovë që nga viti 2001.

Ai tha se, sipas informacionit nga klientja e tij, ajo kishte punuar ose ishte angazhuar si përkthyese në organizata të njohura lokale dhe ndërkombëtare dhe kishte kryer shkollim për infermieri.

Ndër organizatat e përmendura janë Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Misioni i Paqeruajtës i NATO-s (KFOR).

REL-i kontaktoi këto institucione për të konfirmuar këto pretendime dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Për më tepër, sipas avokatit të saj, Atomamadova deklaroi se edhe Ministria e Punëve të Brendshme e kishte punësuar atë disa herë si përkthyese për refugjatët afganë në Kosovë.

“Ka punuar si përkthyese, si njohëse e mirë e gjuhëve të ndryshme”, tha Vata, duke shtuar se klientja e tij është integruar në shoqërinë kosovare gjatë këtyre viteve.

Shërbimi taxhik i Radios Evropa e Lirë, i njohur lokalisht si Radio Ozodi, kontaktoi familjen e Atomamadovës, e cila konfirmoi se ajo ka jetuar në Kosovë për një kohë të gjatë.

E lindur në vitin 1972 në qytetin Khorog të Taxhikistanit, Atomamadova e la vendin e saj në fillim të viteve 2000.

Familja e saj pretendon se ajo nuk ka lidhje me Rusinë, megjithëse e vizitoi vendin dhjetë vjet më parë për të takuar nënën e saj, e cila ishte duke vizituar një anëtar tjetër të familjes.

Taxhikistani ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në shpalljen e pavarësisë më 1991.

Megjithatë, vendi u përball me një luftë civile të ashpër nga viti 1992 deri më 1997 dhe që atëherë është udhëhequr nga presidenti Emomali Rahmon.

Sipas familjes së saj, në Kosovë, ajo ka punuar si përkthyese dhe madje edhe si mësuese anglishteje në disa raste.

Në vitet e fundit, 6 shtetas të Taxhikistanit janë dëbuar ose ekstraduar nga vende të ndryshme evropiane.

Kjo është shtuar veçanërisht pasi Rusia akuzoi shtetas të Taxhikistanit për sulmin terrorist në Crocus City Hall në Moskë dhe ka pasur raportime për taxhikë që kanë marrë pjesë në sulme terroriste në Iran dhe Turqi dhe që përgatiteshin për sulme të tilla në Gjermani.

Të gjithë shtetasit e Taxhikistanit të dëbuar ose ekstraduar pa përjashtim u dënuan me dënime të gjata me burgim.

Sipas avokatit, procesi i shqyrtimit për azilin e Atomamadovës mund të zgjasë me muaj.

Gjatë periudhës 2018-2022 , janë ekzekutuar 550 largime me forcë nga territori i Republikës së Kosovës.

Numri më i madh i personave të larguar ishin nga Shqipëria me 80 për qind, 9 për qind ishin qytetarë nga Serbia dhe 11 për qind nga vendet e tjera. /REL