Lajme

Inspektorati u jep tetë rekomandime policisë për përmirësimin e përdorimit të kamerave të trupit

12/12/2024 11:00
nga:Sh R

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit mbi përdorimin e kamerave të trupit dhe administrimin e provave digjitale nga Policia e Kosovës.

Realizuar nga Departamenti i Inspektimit, monitorimi vlerëson nivelin e përdorimit të kamerave dhe administrimin e materialeve audio-video të regjistruara.

Si rezultat raporti thekson nevojën për trajnime të zyrtarëve të pa trajnuar, inspektime të rregullta mbi funksionimin e sistemit, dhe përdorimin e kamerave nga njësitë e Departamentit të Kufirit.

Ai rekomandon gjithashtu zgjerimin e sistemit të kamerave në njësi të tjera policore dhe përmirësimin e procedurave për administrimin e provave digjitale.

”IPK në kuadër të raportit i ka dhënë Policisë së Kosovës tetë (8) rekomandime që kanë të bëjnë me nevojën e angazhimit të komisioneve për realizimin e inventarizimeve periodike tre (3) mujore sipas Marrëveshjes së Donacionit, organizimin e trajnimeve në përdorimin e kamerave dhe administrimin e provave për zyrtarët policor të pa trajnuar, organizimin e inspektimeve të kohëpaskohshme mbi funksionimin e sistemit dhe përdorimin e kamerave të trupit”.
Kamerat e trupit, donacion nga Departamenti Amerikan i Shtetit, konsiderohen një hap i rëndësishëm për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.