Lajme

Inskenoi vdekjen e tij, Gjykata italiane vendos: Davide Pecorelli do ekstradohet në Shqipëri

05/24/2024 20:51
nga:Sh R

Davide Pecorelli sipërmarrësi 49-vjeçar italian nga Valtiberina do të ekstradohet drejt Shqipërisë. Dritën jeshile e dha sot Gjykata e Apelit në Perugia.

Ai u dënua me 4 vjet burg nga gjykata e Pukës në Shqipëri, pasi inskenoi vdekjen e tij në janar të 2021. Makina e tij u gjet e shkrumbuar në fshatin Gjegjan dhe brenda saj u gjetën edhe eshtra njerëzore, duke bërë fillimisht që të mendohej se i përkisnin pikërisht 49-vjeçarit. Por disa muaj më vonë ai u shfaq në Itali. Ai u shpëtua në det, teksa lundronte me një varkë të vogël.

E kur zbriti në tokë, u përball me urdhërarrestin e lëshuar nga gjykata shqiptare, më 2 tetor të 2022. Nga vendi ynë ai akuzohet për mashtrim, dhunim të varreve, shkatërrim prone me zjarr, kalim të jashtëligjshëm të kufirit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Akuza e fundit ra, ndërsa për akuzat e tjera Pecorelli, i cili përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, u dënua në prill të këtij viti me 4 vjet burg nga Gjykata e Pukës.