Lajme

“Insistojmë që të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës”, deklarata e VV-së pas mbledhjes

09/03/2023 23:47
nga:Gazeta Blic

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka mbajtur mbledhje me përfaqësuesit e tyre nëpër komuna të Kosovës, ku kanë folur për situatën politike në vend.

Sipas njoftimit, i pranishëm në mbledhje ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njëherazi është edhe kryetar i kësaj partie politike.

Tutje, VV-ja bën të ditur se në takim është diskutuar për kalimin e ligjeve të rëndësishme që do ta përforcojnë reformën që kanë filluar në ekonomi dhe drejtësi.

Gjithashtu shtojnë se do të insistojnë që të hiqen masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Ky do të jetë një vit i suksesshëm sa i përket agjendës legjislative. Do të kalojnë ligje të rëndësishme e që përforcojnë reformën që kemi filluar në ekonomi dhe drejtësi, por hapësirë do të ketë edhe për propozime të tjera që vijnë nga qytetet tjera të vendit e që kanë rëndësi për zhvillimin dhe progresin tonë të gjithmbarshëm”, shkroi Lëvizja Vetëvendosje në rrjetin social Facebook.

“Qeveria jonë do të vazhdojë ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend si dhe krijimin e parakushteve për paqe dhe siguri në secilën pjesë të Republikës. Politikat zhvillimore që krijojnë mundësi dhe vende të reja pune në Kosovë”.

“Në planin e dialogut do të insistojmë që të respektohet marrëveshja e nënshkruar në Bruksel dhe të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës. Kurse në planin e mbështetjes për pakicat kombëtare dhe jo kombëtare do të vazhdojmë ta ndihmojmë komunitetin shqiptar në Luginë siç kemi bërë deri më tani, duke ndihmuar njëherit edhe komunitetet jo-shumicë në Kosovë siç bëmë së fundi me fondin 3 milionësh për mbështetjen e organizatave, ndërmarrjeve, që drejtohen nga këto komunitete”.

“Për çështje të nivelit lokal u theksua rëndësia për votimin e faljes së tatimit në pronë deri në 100 euro si masë e qeverisë tonë. Kjo ka afat deri me 15 shtator të këtij viti andaj duhet iniciuar seanca të jashtëzakonshme komunale që kjo çështje të votohet”.

“Te çështjet organizative u fol për punën e shtuar që duhet bërë në ngritjen e opozitbërjes nëpër secilën komunë, në fuqizimin e qendrave tona, në shtimin e anëtarësimeve të reja, në mënyrë që kësisoj shumë shpejtë t’i kompletojmë strukturat tona për të garuar në secilin qytet të Republikës”.