Lajme

Inflacioni në Kosovë/ Gërxhaliu: Rritja e pagave të diskutohet nga ekspertët e jo nga politikanët

05/30/2024 10:25
nga:N K

Ish kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për GazetaBlic, ka treguar për inflacionin dhe rritjen e pagesave në Kosovë në sektorin privat dhe publik.

“Duhet të kuptohet që kohëve të fundit në Kosovë agjenda politike është duke dominuar dhe aty ku dominon agjenda politike ka pak hapësirë të debatohet dhe të diskutohet për ekonominë dhe për aspektin social”, tha ai.

A janë duke luftuar vendet e zhvilluara të Evropës inflacionin?

“Është e vërtetë që jo vetëm Kosova por edhe vendet e zhvilluara evropiane kanë qenë të goditura nga inflacioni mirëpo të gjitha shtetet kanë marrë hapa konkretë të cilët ndikojnë në një standard për të mirë të qytetarëve apo për të mbrojtur qytetarët nga ky sulm i inflacionit. Për fat të keq, në Kosovë ne kemi pasur më tepër ngritje të çmimeve por është fakt që nuk kemi pasur rritje të pagave, qoftë në apektin publik apo aspektin privat”, vazhdoi ai.

Gërxhaliu për GazetaBlic potencoi se tema e inflacionit dhe rritjes së pagave në Kosovë duhet të ketë diskutim nga ekspertët e këtyre fushave dhe jo nga politikanët.

“Kosova sot është një shtet i varur nga importet, është sfida e parë e Qeverisë dhe e dyta është më shqetësuese fakti që edhe remindancat të cilat janë në vlerë pothuajse sa është buxheti i Kosovës, për konsum dhe jo për zhvillim. Andaj, besoj që kjo temë duhet të trajtohet në mënyrë profesionale dhe për procese ekonomike dhe sociale do të flasin ekspertët e fushave dhe jo politika”, tha tutje ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.

Sipas Gërxhaliut, çdo ditë jeta në Kosovë është duke u bërë më e shtrenjtë për qytetarët.

“Vetë fakti që edhe më tutje e kemi të padefinuar ligjin mbi pagën minimale që është një dëshmi e parë dhe e dyta sot shumë më tepër në këtë drejtim, ka bërë sektori privat në fusha të caktuara sesa që ka pasur presion nga politika, prandaj definitivisht është koha kur duhet të mendohet për shtet dhe për qytetarë dhe jo vetëm për pushtet. Sepse jeta në Kosovë me të vërtetë është çdo ditë më e shtrenjtë, ndërsa fuqia blerëse e euros është çdo ditë më e vogël”, vlerësoi ish – kryetari i OEK.

“Duhet të kuptohet që inflacioni nuk e shpik Qeveria, por duhet të luftojë Qeveria me masa të ndryshme, mirëpo duhet të kuptohet që shteti nuk zhvillohet dhe nuk ulet inflacioni me ndihma sociale apo me asistencë sociale kërkohet një fuqizim i sektorit privat. Kërkohet përmisim i indikatorëve ekonomikë në veçanti sa i përket rritjes së eksporteve dhe investimeve të huaja në Kosovë”, përfundoi ish – kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.

/GazetaBlic/