Vitet e fundit është rritur mosha e grave kur nisin procesin e shtatzënive dhe të lindjeve të fëmijëve.
Kjo vjen si rezultat i shumë faktorëve duke filluar nga shkollimi, stabiliteti financiar, karriera etj.
Në lidhje me këtë çështje, infertilitetin, kancerin e qafës së mitrës e shumë tema të tjera ka folur në një intervistë për “Gazeta Blic” gjinekologu i mirënjohur kosovar, Memli Morina.
“Eshtë një dukuri që gratë vendosin që të fillojnë procesin e lindjeve më vonë se sa ka ndodh përpara dhe kjo me sa duket lidhet me faktorin që gratë duan që të krijojnë një stabilitet edhe social, të kryejnë shkollimin, të stabilizohen në karrierë dhe logjikshëm procesi i shtatzënive dhe i lindjeve shtyhet për një kohë”
Një problem me të cilin po përballen çiftet vitet e fundit është edhe infertiliteti apo pamundësia për të arritur një shtatzani në mënyrë natyrale.
Gjinekologi Morina rendit disa nga faktorët që po ndikojnë dhe tregon mënyrat e trajtimit.
“Faktorët janë të shumtë, duke qenë të shumtë dhe jo vetëm një faktor mund të ketë ndërlidhje me disa prej tyre dhe situata bëhet gjithnjë e më komplekse. Në parim ne quajmë infertilitet kur një çift edhe pas një viti përpjekje për një shtatzani, nuk vie deri tek shtatzënia. Nëse kalon 12 muaj marrëdhënie të rregullta të pambrojtura dhe nuk ndodh një shtatzani atëherë ne fillojmë që të bëjmë analiza për të zbulu se cilët mund të jenë shkaktarët. Jo rrallë nuk e gjejmë një shkaktar por gjejmë disa dhe në këtë rast edhe trajtimi është shumë dimensional jo vetëm në një trase të trajtimit mirëpo më shumë se sa aq. Ka raste, jo të rralla, kur spermiogrami ose faktori mashkull nuk është në vlera ideale dhe kjo ndikon. Mirëpo këto mund të jenë vlera jo shumë alarmante mirëpo kur kombinohen me një problem tjetër që shfaqet tek gruaja, kur këto bëhen bashkë shtatzënia vonohet ose nuk ndodh fare….ose mund të ndodhë një shtatzani e cila mund të ndërpritet në javët e para pra ndërprerja e pavullnetshme, abordi. Kjo mund të shkaktojë aborde të përsëritura që lidhet atëherë edhe me infeksionet. Këto infeksione e komplikojnë që të ndodhë një shtatzani mirëpo edhe vijimin e shëndetshëm të një shtatzënie” deklaroi gjinekologu Morina.
Gjinekologu Morina tha se çiftet gjithnjë e më shumë janë të vetëdijësuar dhe konsultohen paraprakisht me mjekun para planifikimit të një shtatzanie.
“Eshtë një dokuri në rritje, çiftet vijnë tek ne për të marrë informacionet se çfarë duhet të bëjnë në mënyrë që të fillojnë një shtatzani të shëndetshme. Në anën tjetër është shtu edhe numri i burimeve të informacionit, siç është edhe kjo bisedë, intenca është që të jepen informacione në mënyrë që të vjen deri tek vetëdijesimi. Qasja ka ndërru, shumë rrallë ndodh që një çift të mos ketë informacione që janë të mjaftueshme se çfarë duhet të bëjë në mënyrë që të fillojë një shtatzani e shëndetshme”
Ai foli edhe në lidhje me kancerin e qafës së mitrës dhe vaksinimin HPV.
Morina tha se megjithëse po bëhet vaksnimi i vajzave të moshës 10 deri në 13 vjeç kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk duhet të bëhet ‘Pap-testi’ në mënyrë të rregullt.
“Faktikisht të gjitha sëmundjet malinje kanë një konotacion shumë dramatik, jo vetëm për personin por edhe për familjen. Fatmirësisht sëmundjet malinje në qafën e mitrës e kanë një mënyrë shumë të efektshme parandalimi. Parandalimi nënkupton edhe vaksninimin por edhe përsëritjen e rregullt të ekzaminimit qelizor, Pap test, të cilat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Në qoftëse themi se një vajzë vaksionohet tani 11 deri në 13 vjeç ajo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të ketë nevojë që të bëjë ‘Pap-testin’ në mënyrë të rregullt. Tashmë dihet se kanceri në qafën e mitrës, procesi ‘shkrepet’ përmes një procesi me një virus që quhet HPV, infkesioni me këtë virus bën që të fillojë ndarja e pakontrolluar e qelizave që manifestohet përfundimisht në një sëmundje malinje. Këtu qëndron edhe efekti i vaksinës e cila i parandalon problemet të cilat mund të ndodhin për shkak të një infeksioni me HPV. Mirëpo ‘Pap-testi’ patjetër që duhet të bëhet, asnjë vaksinë nuk është e efektshme 100% bile edhe ‘Pap-testi’ nuk e garanton që është i sigurte 100% dhe për këtë arsye duhet të përsëritet në intervale të rregullta kohore” deklaroi Morina për “Gazeta Blic”.
Por cila është mosha më e përshtatshme për një grua që të fillojë një shtatzani?…Gjenekologu Morina pati një përgjigje më të gjerë rreth kësaj teme.
“Faktorët se pse një çift vendos të ketë fëmijë pak më vonë, nuk është temë vetëm mjekësore, ndoshta më shumë është temë edhe sociale sesa kushtimisht mjekësore. Unë nuk dua të përhap panik me numrat që të them se një vajzë, një grua një zonjë që ka x vjet e ka të pamundur që të mbetet shtatzënë. Praktikisht çdo grua e cila është në moshën reproduktive që do të thotë prej moshës shumë të hershme dhe derisa të ketë menstruacionin e fundit që shumicën e herave shtyhet deri në 50 vjeç, ajo mund të mbetet shtatzënë.Llogjikshëm kur të kalon një moshë, zakonisht mbi 35 vjeç, gjasat që të ndodhë një shtatzani vijnë edhe ulen mirëpo nuk janë zero. Kështu që nuk duhet të përhapet panik që një vajzë, grua apo zonjë e cila qenka 37 vjeç se e i ka ik momenti kur ka mundur që të bëhet nënë. Ajo çfarë duhet t’a sqaroj është që një vajzë e posalindur, lind me një ‘bazent’, numër të qelizave vezë dhe këto qeliza vezë gjatë çdo menstruacioni, ky ‘bazent’ vjen edhe shterret dhe këto reflektohen kryesisht në moshën e madhe, mbi 35 vjeç. Kjo është logjika pse ne themi se në moshën mbi 35 vjeç gjasat për të ndodhur një shtatzani janë më të vogla” deklaroi Morina në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


