Lajme

Infermierja-Qeverisë: Puna jonë nuk ka çmim, të paktën mos na ofendoni!

08/25/2021 23:00
nga:M K

Infermierja në Klinikat e Covid-19 është shprehur e zhgënjyer me vendimin e fundit të Qeverisë, ku u zvogluan shtesat e stafit shëndetësor nga 250 euro në 60 euro.

Përmes një postimi të saj në Facebook këtë vendim të Qeverisë ajo e quan si nënqmim dhe e refuzon.

Tutje, ajo ka treguar punën e vështirë që kanë çdo ditë në shpëtimin e pacientëve.

Postimi i saj i plotë:

E nderuara Qeveri,

Unë si infermiere, vullnetare në Klinikat COVID-19 që nga fillimi i pandemisë publikisht deklaroj se refuzoj shtesat nënçmuese!

Të kalonit vetëm një orë e jo me shumë me pacientët me COVID19, të shikonit në sytë e tyre plotë shpresë derisa mezi marrin frymë, ju garantoj se do ju kapte paniku e lërë që do arrinit të kujdeseni për ta!

Ai shikim plot shpresë, ajo dorë që ne mbajmë, dhimbja që e bashkëndjejmë, kujdesi që u japim, jetët që i rikthejmë, orari i tejzgjatur, lodhja që na kaplon, shëndeti i cenuar jo vetëm ne por edhe të familjarëve…. e shumë gjëra tjera, ju nuk mund ti paguani!

Gjëja më e bukur në punën tonë dhe që s’do e paguaja me asnjë çmim është të mbash duart e atij që po lufton për jetën e t’i thuash “mos ke frikë se do ja dalim”!

Puna jonë nuk ka çmim, të paktën mos na ofendoni!