Lajme

Infektologu Ramadani thotë se Kosova mund të përballet shumë shpejt me Linë e Majmunëve

05/23/2022 20:16
nga:G B

Pas shfaqjes së disa rasteve të lisë së majmunëve që janë raportuar në Britani, Portugali, Spanjë dhe Shtete të Bashkuara, i ftuar në Tëvë1, infektologu, Hamdi Ramadani deklaroi se Kosova si një vend i hapur që ka kontakte me shumë vende të botës rrezikon që shpejt të ketë ndonjë rast me këtë sëmundje.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1,  Ramadani deklaroi se nuk ka të dhëna për ndonjë rrezikshmëri të lartë të kësaj sëmundje e cila sipas tij nuk përhapet shpejt si  Covid – 19.

“Edhe vendi ynë, Kosova si vend i cili është i hapur dhe kontakton me vendet qoftë evropiane qoftë SHBA është e mundshme që ditët e ardhme apo javët në vijim të  identifikohet ose të shfaqet eventualisht ndonjë rast  i dyshimtë me sëmundjen e majmunëve. Sëmundje kjo e cila deri më tani nuk ka të dhëna për ndonjë rrezik shumë të lartë në kuptimin e përhapjes apo shpërndarjes infeksiozitetit çfarë ka Covid – 19 që përfshiu tërë botën, tash për tash nuk e ka atë karakteristikë”, tha ai.

Tutje Ramadani gjatë emisioni tregoj se lija e majmunëve ka filluar të shfaqet që nga fillimi i muajit maj ku sipas  tij shumë ekspert mjekësor po paraqesin shqetësime për përhapjen aq të shpejt të saj.

“Që nga fillimi i muajit maj ka filluar sëmundja lija e majmunëve në Evropë, SHBA, dhe në vende përreth neve siç është Greqia, Italia, pastaj Franca, e paraqet sëmundjen mjaftë serioze dhe shumë shkencëtarë dhe mjekë paraqesin shqetësime dhe seriozitet për paraqitjen dhe përhapjen kaq të shpejt të kësaj sëmundje virusale e cila mund të ketë shumë të panjohura në këto regjione”, tha Ramadani.

Edhe zyrtarët botërorë të shëndetësisë po shprehen të alarmuar për rastet në rritje të lisë së majmunëve në Evropë dhe gjetkë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se 12 shtete anëtare të saj, që nuk janë endemike për virusin, kanë raportuar 92 raste të konfirmuara dhe 28 të dyshuara deri më 21 maj.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë  ka bërë të ditur se nga IKSHPK janë njoftuar se ende nuk është raportuar ndonjë rast i dyshimtë në Kosovë lidhur me këtë sëmundje.