Sporti

Infantino: Futbolli në Kosovë ka bërë përparim të madh

12/24/2023 19:08
nga:G C

Gala mbrëmjen e Federatës së Futbollit të Kosovës “Laureatët 2023” e ka nderuar përmes një video-mesazhi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Ai duke përshëndetur të pranishmit në këtë manifestim, ka theksuar se futbolli i Kosovës që nga anëtarësimi në FIFA, ka bërë përparim të madh.

Mesazhi i plotë i Infantinos:

I nderuari President, i dashur Agim, të nderuar mysafirë, të dashur miq, kam kënaqësinë t’ju drejtohem në këtë ngjarje të rëndësishme – Çmimet e vitit 2023 të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Që kur Kosova iu bashkua FIFA-s në maj të vitit 2016, në Kongresin tim të parë si president i FIFA-s, futbolli ka bërë përparim të madh në vendin tuaj dhe ekipet tuaja kanë arritur tashmë disa rezultate të mahnitshme.

Siç e dini, pata kënaqësinë e madhe t’ju vizitoja në shtator të vitit 2022, ku munda të shihja vetë disa nga punët tuaja dhe më pas t’ju uroja mirëseardhjen në shtëpinë e FIFA-s në Cyrih në fillim të këtij viti.

U inkurajova shumë nga mënyra se si jeni angazhuar aktivisht me FIFA-n në programin për zhvillimin e futbollit në Kosovë, ofrimin e ambienteve më të mira, ngritjen e standardit të lojës dhe rritjen e lojës së vajzave.

Kjo është pikërisht arsyeja që krijuam programin ‘FIFA Forward’ dhe kjo dëshmon se jemi në rrugën e duhur.

Mezi pres t’ju takoj sërish personalisht në të ardhmen e afërt dhe ndërkohë ju lutem mos harroni se gjithmonë mund të mbështeteni te FIFA.

I përgëzoj fituesit e çmimeve për arritjen e tyre këtë vit dhe sigurisht ju uroj një ceremoni të mrekullueshme të ndarjes së çmimeve.

Faleminderit edhe një herë, gjithë të mirat për të gjithë ju. Shihemi se shpejti. Mirupafshim!