Opinion

Ineptokracia në mes nesh

07/25/2022 07:17
nga:Shqiprim Pula

Sistemet politike njihen si koncept bashkëjetese politike dhe se demokracia njihet si më pak e dëmshme për lirinë e individit apo grupit të caktuar, sepse fakti i bërjes së kritikave apo kundërshtimit të aspekteve të caktuara të saj, tregon nivelin e ulët të dëmshmërisë kundrejt diktaturave apo regjimeve totalitare. Jo rrallë, kemi parë e identifikuar se disa politikanë të caktuar të cilët ngrisin zërin kinse për të mbrojtur liritë individuale dhe demokracinë, rrëshqasin në të tillë, që heshturazi kufizojnë liritë individuale e cenojnë demokracinë.

Po ҁfarë në të vërtet është ineptokracia në mes nesh? Partitokracia ka bërë që veprimi civil qytetar edhe të ngulfatet hera herës, e një lloj manuali rezistence sikur ka munguar qoftë edhe për të definuar të ardhmen civile, politike, sociale e kulturore; kjo, për shkak të mospërcaktimit të qartë të koncepteve politike ndër nesh e mes nesh. Madje partitë politike (partitokracia) kanë krijuar makineri të shumta që të sjellin në pushtet kandidatë të paaftë, dhe u kanë dhënë vlerësim për rëndësinë në jetën politike më tepër se sa për dobishmërinë e tyre. Për shkak të paaftësisë së tyre jemi gjendur përpara skenareve e shqetësimeve serioze shoqërore, por, duke mos i kritikuar e denoncuar!. Jo rrallë, jemi gjendur të zhytur në paaftësinë politike por në fuqinë politke të politikanëve të caktuar, të cilët kanë qenë të paidentifikuar konceptualisht, të deklaruar si të djathtë por në shumë gjëra si të majtë, të deklaruar thellësisht si zë mbi barazinë midis grave e burrave por praktikisht të bazuar në kuota e përqindje, apo të deklaruar si fetar por me plotë dyshime mbi fenë. Prandaj, si shoqëri, jemi ndodhur para një teatri politikë pa skenar e me aktorë amatorë.

Ineptokracia i atribuohet grupit apo grupeve të politikanëve të paaftë, politikanë që nuk zotrojnë cilësitë e nevojshme për të qenë në gjendje të qeverisin me vendin në mënyrë të kënaqëshme, por, të krijuar për një sistem i llojit të riprodhimit të demagogjisë, për shkak të paaftësisë për të siguruar jetesën pavarfëri e me një mirëqenie në tërrësinë e saj, po mbi të gjitha, të mbështetur e votuar nga ajo kategori votuesish të paemancipuar politikisht apo me një nevojë financiare kundrejt votës. Përkufizim më përbajtësor e të plotë mbi ineptokracinë e ka dhënë shkrimtari dhe filozofi francez, Jean d’Ormesson, i cili thotë; “ineptokracia është sistemi i qeverisjes në të cilin ata që janë më pak të përgaditur për të qeverisur zgjidhen nga ata që janë më pak të përgaditur për të prodhuar”. Këtë lloj sistemi nga të paaftët në politikë, duhet shmang si koncept jetese politike, për hir të ardhmërisë, ashtu sikur, zgjidhja e ҁdo problemi është t’a gjejmë, t’a vlerësojmë e propozojmë si mënyrë për t’a zgjidhur atë. Ineptokratëve politikë, nuk duhet dhënë mbështetjen që e kërkojnë por atë që e meritojnë, largimin e tyre përmes votës, sepse, vendi gjindej prej vitesh ndërmjet premtimeve të brendshme e karshi dobësisë së jashtme.

Të përkufizohet saktësisht situata në të cilën gjendemi është e vështirë!!! ngase, gjendemi të zhytur në momente kritike si komb e shoqëri, mbase, edhe mund të ketë zgjidhje politike, por jo pa bindje politike të të gjithëve mbi parimet dhe qëllimet pankombëtare shqipëtare.