Lajme

“Industria” ajrore në vitin 2025 pati qarkullim 2.8 miliardë euro, dje Kurti i ndau edhe 2 milionë për ta

05/27/2026 11:47
nga:Sh R

Dje, qeveria në detyrë e vendit, përmes një mbledhjeje elektronike të zhvilluar, ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej dy milionë euro, “për zbatimin e Masës 4.5 ”Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë”.

Në bazë të disa statistikave tëe publikuara para disa muajsh nga GAP,  shërbimet e udhëtimit, në vitin 2025, ku përfshihen shërbimet e ofruara për jo-rezidentët gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë kapën në vlerë prej 2.8 miliardë euro (+16% krahasuar me vitin 2024).

Në një mbledhje të mbajtur dje, dy javë para zgjedhjeve, Qeveria në detyrë në krye me Albin Kurtin ka ndarë 2 milionë euro për mbështetjen e linjave të fluturimit për mërgatën.

Sipas vendimit të Qeverisë, do të shtohen linja të reja në destinacionet prej të cilave udhëton më shumë mërgata, për periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, është autorizuar që në emër të Qeverisë, ta lidh marrëveshjen me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Autorizohet Ministri i Financave që në emër të Qeverisë së Repulikës së Kosovës të nënshkruajë Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sipas fushave dhe përgjegjësive institucionale, për dizajnimin dhe zbatimin e skemës nxitëse për mirëmbajten dhe/ose shtimin e linjave të reja në destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë, për periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit”, thuhet në vendim.