Lajme

India për zgjedhje me temperatura deri në 50 gradë, vdesin disa persona

05/31/2024 16:59
nga:Y I

Disa njerëz kanë vdekur për shkak të të nxehtit gjatë 24 orëve të fundit në Indi, ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten deri në 50 gradë celsius.

Dhjetë vdekje u regjistruan në spitalin qeveritar në rajonin Rourkela të Odisha të enjten, thanë autoritetet për agjencinë e lajmeve Reuters, përcjell Klankosova.tv

Vdekjet nga nxehtësia janë raportuar gjithashtu nga shtetet e Bihar, Rajasthan dhe Jharkhand dhe nga kryeqyteti, Delhi.

Vapa e fortë vjen ndërsa India po mban zgjedhjet e saj të përgjithshme, rezultatet e të cilave do të shpallen më 4 qershor.

Mahendra Kumar, gjyqtari i qarkut të rrethit Bhojpur në Bihar për “Times of India” tha se tre oficerë të zgjedhjeve dhe një polic kishin vdekur nga të nxehtit.

Nxehtësia në veri, qendrore dhe pjesë të Indisë perëndimore ka qenë e pandërprerë për dy javët e fundit, me temperaturat maksimale që lëvizin rreth 45-46C e deri në 50C në disa zona, shkruan BBC.