Instituti për Politika Zhvillimore sot ka prezantuar raportin “Zbatimi i Pakos së Ringjalljes” në tryezën përmbyllëse, në kuadër të programit “Rimëkëmbje e qëndrueshme”.
Donikë Beqiri, koordinatore e këtij projekti, tregoi të gjeturat që kanë dalë nga ky raport.
Beqiri e vlerësoi Pakon e Ringjalljes Ekonomike, si një ndër më të rëndësishmet.
“Pako e Ringjalljes Ekonomike është një ndër pakot më të rëndësishme, që ka vlerën më të lartë të mjeteve financiare dhe pako që prek dimensione të ndryshme. Pako ka filluar të zbatohet që nga korriku i vitit të kaluar. Ka pasur për qëllim rikuperimin ekonomik, rritjen e bruto-produktit vendor si dhe aftësimin e të rinjve profesional në fusha të ndryshme dhe fuqizimin e grupeve me vulnerabilë që pandemia i ka prekur më shumë, si gratë, pensionistët e personat me nevoja të veçanta”, tha Beqiri.
Sipas saj, INDEP ka përpiluar tri raporte me qëllim monitorimin e secilës masë, ku kanë gjetur se në total janë zbatuar 10 masa plotësisht, 9 në mënyrë të pjesshme, 3 në nivel të kufizuar dhe pa zbatuar kanë mbetur 3 masa.
Ndërsa, hulumtuesi i lartë nga INDEP-i, Dardan Abazi, tha se Instituti ka ndërmarr një sërë aktivitetesh për promovimin e masave.
“Vitin e kaluar INDEP ka ndërmarr një sërë aktivitetesh me anë të të cilave synonte të promovonte masat e rimëkëmbjes dhe masat e ringjalljes ekonomike. Projekti ynë kishte për qëllim të shërbente në kuptimin që të shihte se sa janë zbatuar, në çfarë niveli kanë shkuar dhe cili ishte impakti në rimëkëmbjen ekonomike në sektorë të ndryshëm”.
Sami Salihu, drejtor i departamentit për regjistrim të tatimpaguesve në ATK, tha se e kanë mbështetur në disa pika këtë pako, si subvencionimin e të punësuarve dhe të vetë-punësuarve në sektorin privat.
Tutje, Salihu tregoi edhe shifrat e personave që kanë aplikuar për secilën masë.
“Për masën 1.1 kanë aplikuar 470 biznese ku në lista kanë qenë 1013 të punësuar. Për masën 1.3 kanë aplikuar 1810 punëdhënës, për 4882 persona në listat e tyre. Masa 1.3 ka pasur më shumë aplikime. Nuk do të thotë që të gjithë kanë fituar, pasi nuk i kanë plotësuar kriteret”.
“Për 100 euro në sektorin privat, e kemi zhvilluar aplikacionin dhe përmes publikimit të tij aplikuan personat. Numri total i personave që kanë aplikuar është mbi 336 mijë. Mbi 72 mijë persona janë të refuzuar për arsye të shumta”.
Florin Aliu, ekspert i pavarur i ekonomisë, tha se përmes këtij raporti ka arritur të kuptojë qëllimin e pakos, por që nuk ka parë rritje të punësimit nga kjo pako.


