Lajme

Incidenti në avionin e Flydubai, dyshohet se bashkëpiloti veproi i vetëm! Bien pretendimet se kishte lidhje me Iranin

10/04/2026 18:55
nga:G B

Bashkëpiloti i akuzuar se sulmoi kolegun e tij gjatë një fluturimi të kompanisë Flydubai drejt Izraelit dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit të mërkurën (30 shtator), dyshohet se ka vepruar i vetëm, sipas CNN.

Hetues nga disa vende vijojnë të punojnë për zbardhjen e motivit të ngjarjes, ndërsa një zyrtar izraelit tha se të dhënat e deritanishme të hetimit tregojnë se i dyshuari ka vepruar i vetëm.

Një tjetër burim izraelit tha se, deri tani, Izraeli nuk ka të dhëna për ndonjë lidhje të të dyshuarit me një organizatë apo qeveri. Të dy burimet theksuan se ky është vlerësimi i deritanishëm dhe hetimi vijon.

Pas incidentit, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se i dyshuari mund të kishte lidhje me Iranin, “bazuar në ato që po dëgjoj”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Fluturimi FZ1073 i Flydubai i shpëtoi për pak një katastrofe gjatë udhëtimit nga Dubai, pasi avioni humbi papritur mijëra metra lartësi. Pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit ndërhynë për të ndihmuar në kabinën e pilotimit dhe për të rikthyer kontrollin e avionit.

Sipas burimeve të cituara nga CNN, i dyshuari është identifikuar si Hamam Al Hamami, shtetas i Omanit. Ai ishte larguar vitin e kaluar nga një pozicion i mëparshëm në kompaninë kombëtare ajrore të Omanit, për shkak të shqetësimeve lidhur me pikëpamjet e tij ekstremiste.

Një postim në një prej llogarive të tij në rrjetet sociale përfshinte një fotografi të Ayman al-Zawahirit, i cili drejtoi Al-Kaedën pas vdekjes së Osama bin Ladenit.

Hetimet për incidentin vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë motivin dhe nëse i dyshuari ka pasur apo jo ndonjë bashkëpunëtor ose lidhje me ndonjë organizatë. /Panorama