Lajme

Inaugurimi i Presidentit Trump: Osmani nuk shkon, dërgon një delegacion të Kabinetit të saj, shoqëruar nga Ambasadori Dugolli

01/18/2025 18:37
nga:Sh R

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara (Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve), për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Megjithatë, duke u bazuar në traditën protokollare, shumica e vendeve përfaqësohen në këto ceremoni nga ambasadorët e tyre të akredituar në Washington D.C.

Lajmin për GazetaBlic, e konfirmoi Bekim Kupina, këshilltar për Media, ku thotw se duke e vlerësuar këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve, Presidentja ka vendosur ta dërgojë një delegacion të kabinetit të saj, i cili, së bashku me ambasadorin në SHBA, Ilir Dugolli, do ta përfaqësojnë Kosovën në aktivitetet inauguruese të datave 19-21 janar.

Presidentja Osmani tashmë ka pasur rastin ta urojë personalisht Presidentin Trump gjatë një bisede të përmbatësore që zhvilluan muajin e kaluar të mbajtur në Pallatin Elysee, në Paris. Ky angazhim i vazhdueshëm reflekton përkushtimin e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin me administratën e re amerikane dhe për të avancuar interesat e përbashkëta.