Lajme

Imri Ahmeti ngushëllon familjen Zejnullahu për humbjen e fëmijës së tyre

01/27/2026 23:44
nga:G B

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, në emër të institucionit komunal, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu për ndarjen nga jeta të të riut Zejn Zejnullahu, nxënës i shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Gadime.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të nxënësit Zejn Zejnullahu, pas përpjekjeve të mëdha të banorëve të zonës dhe ekipeve mjekësore, fatkeqësisht nuk arritën ta shpëtojnë”.

“Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur të gjithë qytetarët. Humbja e një jete të re është një dhimbje e madhe për familjen, shkollën dhe për gjithë komunën tonë”, u tha në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Ahmeti.

Kryetari i Komunës u lut që raste të tilla të mos përsëriten më.

“Lusim Zotin e Madhërishëm që raste të tilla të mos përsëriten më dhe t’i japë forcë familjes për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, u shpreh Ahmeti.

Në fund, ai u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Zejnullahu, të afërmve, shokëve, mësimdhënësve dhe gjithë qytetarëve të Gadimes.

“Zoti e mëshiroftë”, shkroi në fund Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit.

I riu Zejn Zejnullahu u raportua i zhdukur nga familja e tij gjatë ditës së sotme, pasi siç u tha, nuk ishte kthyer në shtëpi pas përfundimit të mësimit.

Sipas informacioneve të deritanishme, ai është gjetur në lumin e fshatit Gadime nga një qytetar, e më pas është dërguar në QKUK.

Nga ky institucion, për Klankosova konfirmuan se vogëlushi kishte arritur pa shenja jete aty, dhe, edhe përkundër tentimeve për ta rikthyer në jetë, ka qenë e pamundur.