Lajme

Import nga Serbia në Kosovë me vlerë prej 8 milionë euro, reagon nënkryetarja e AAK-së: Qeveri mashtruese

09/08/2024 16:14
nga:N K

Që nga qershori i vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndalojë çdo import nga Serbia.

Por, siç duket ky vendim nuk po merret për bazë.

E gjitha kjo, pasi që Dogana e Kosovës ka publikuar medikamentet e importuara nga Serbia për vitin 2023-2024.

 

Derisa, edhe nënkryetarja e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Time Kadrijaj ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia.

Në një prononcim dhënë për GazetaBlic, Kadrijaj u shpreh se ky vendim asnjëherë nuk është zbatuar nga qeveria në pushtet.

“Është faktuar kjo gjë. Kjo është një mashtrim sepse shpeshherë kur është ballafaquar me pyetjet e deputetëve ministri Vitia i ka akuzuar deputetët se ka kaluar ajo koha që keni bashkëpunuar me Serbinë,  e keni ble barna në Serbi dhe është një vendim gjoja i qeverisë, vendim të cilin asnjëherë nuk e kemi pa të ndalohet  importi i barnave nga Serbia”, tha ajo.

Po ashtu, Kadrijaj thotë se kjo gjë është duke u faktuar se për këto dy vite (2023-2024), janë shpenzuar tetë milionë euro për të blerë barna nga Serbia.

Derisa, qeverinë në pushtet, Kadrijaj e quan “mashtruese”.

“E vlerësoj një mashtrim këtë, vërtetë mashtrojnë dhe nuk skuqen fare, rrejnë dhe nuk skuqen fare. Kjo është një qeveri mashtruese”, deklaroi ajo.

Më tej, nënkryetarja thotë se pas të gjitha këtyre nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur asnjë prononcim për ta mohuar apo pohuar këtë gjë.

“Edhe pse tash kanë dalë të gjitha këto nuk e kemi pasur një prononcim të Ministrit të Shëndëtësisë me thanë që është ashtu apo nuk është ashtu, ani pse është faktuar nga Dogana e Kosovës që kanë blerë ato mallra  dhe duhet me dal e me u prononcu dhe duhet me u bë publike se këta kanë rrejt kanë mashtru për të ardhur në pushtet”, përfundoi nënkryetarja e AAK-së.

/GazetaBlic/