Liberalizimit të vizave pos sektorit privat, duket se sherrin ia pa edhe shëndetësia.
Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri ka theksuar se liberalizimi i vizave ka bërë shumë dëme në shëndetësi.
Ajo ka theksuar se shumë mjekë kanë ikur në Gjermani, për shkak se ky shtet i ka lehtësuar shumë procedurat për punësim.
“Liberalizimi i vizave na ka bërë dëm në shëndetësi, sepse Gjermania, p.sh, i ka lehtësuar shumë procedurat për punësim atje, profesionistët shëndetësor po kyçen tepër lehtë në punë atje. Për punëtorët shëndetësor, është krijuar një lloj trendi, ikja, duke kërkuar kushte më të mira. Mendoj se, ky trend ka qenë dhe do të vazhdojë”, thotë ajo.
Imeri rendit faktorët që ndikojnë në ikjen e personelit shëndetësor nga Kosova.
“Ka shumë faktorë, të cilët ndikojnë në ikjen e personelit shëndetësor. Për shembull, ata që e kryejnë fakultetin e mjekësisë, nuk po gjejnë vend pune. Ne kemi mungesë të personelit shëndetësor në raport me popullatën, krahasuar me shtetet e rajonit”, vlerëson ajo.
Sipas saj, problemet në shëndetësi janë shumë të mëdha.
“Problemet janë shumë të mëdha në shëndetësi, shëndetësia është një çështje shumë e ndjeshme që ka një kosto shumë të madhe. Shëndetësia në Kosovë, asnjëherë nuk është trajtuar me prioritet, prandaj jemi në këtë gjendje. Ka shumë telashe, nuk ka konkurrencë të vlerave, por të miqësive e të familjes, këto e irritojnë një punëtor shëndetësor”
“Sot, nuk ke pse ta hapësh “Facebookun” ku vazhdimisht ka apel për ndihmë për trajtim jashtë vendit, ndërsa në anën tjetër profesionistët tanë shëndetësor po shkëlqejnë në perëndim. Në Kosovë s’po ndodhë kjo, sepse nuk po trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu siç do duhej”, thekson Tevide Imeri.
Nga sindikata e shëndetësisë edhe pse janë të kënaqur me pagat e mjekëve, thonë se politika po e shkatërron sektorin e shëndetësisë publike.
Tevide Imeri po thotë se politika me punësimet familjare e militanteske, po e shkatërron kolektivin.
“Me u bë të sinqertë, pagat nuk janë të vogla tek mjekët, por tek infermierët është ende goxha telashe. Ata janë të ngarkuar tejmase me punë, të sistemuar në mënyrë jo të drejtë, por në mënyrë katastrofale. Ka ndodhë që një infermierë është kudes për 20 pacientë, thjeshtë nuk paguhet për atë angazhim, ndonëse e ndjen barrën. Politika është duke na shkatërruar shumë, punësimet familjare e punësimet që bëhen veç pse janë militantë të një partie të caktuar, janë shqetësuese, kështu po fillojnë edhe përplasjet brenda kolektivit”, vlerëson ajo./Gazeta Blic/