Imazhet satelitore që janë realizuar pas sulmit ukrainas me dron në rajonin jugor të Rusisë, Krasnodar më 23 maj, shfaqin dëme të mëdha në një instilacion kyç të radarit i cili ofron mbrojtje ajrore në rajonin ukrainas të pushtuar të Krimesë.
Ky radar po ashtu ofron mbrojtje ajrore në Ballkan, në lindje të Mesdheut dhe në Gjirin Persik.
Stacioni i radarit Armavir, që ka dy radarë të llojit Voronezh-DM me një rreze veprimi prej 6.000 kilometrash, duket se ka pësuar dëme serioze, raporton Shërbimi Rus i Radios Evropa e Lirë.
Sipas blogut, The War Zone, stacioni i goditur është pjesë e sistemit për paralajmërim të raketave bërthamore balistike të Rusisë.
Blogu tha se stacioni mund të jetë shënjestuar për shkak se është i aftë të gjurmojë raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS, që prodhohen nga Shtetet e Bashkuara. Ukraina së fundi është furnizuar me këso lloje raketash nga Uashingtoni.
Analisti ushtarak norvegjez, Thord Are Iversen, përmes një postimi në X – që më herët njihej si Twitter – argumentoi se nuk është “ide e mirë… veçmas në kohë të tensioneve” të shënjestrohen elementet të sistemit rus për paralajmërim bërthamor.
Sulmi rus ndaj stacionit Armavir vjen pak kohë pasi Rusia nisi stërvitje të forcave të saj taktike bërthamore në qarkun jurgo të ushtrisë, në kufi me Ukrainën.
As Rusia, as Ukraina nuk kanë komentuar për sulmin në Armavir.