Sporti

Dede: Shqipëria aspak inferiore ndaj Çekisë dhe Polonisë, ardhja e Dakut dhe Mujës ka sjellur frymë pozitive

09/07/2023 08:56
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Shqipërisë e vazhdon sonet misionin e saj kualifikues drejt Kampionatit Evropian 2024.

Kuqezinjtë do të përballen sonte me Çekinë në Pragë, kurse të dielën do të ndeshen me Poloninë, me takimin që luhet në ‘Air Albania’.

Të drejtuarit e Sylvinhos janë momentalisht në vendin e dytë në grup, duke siguruar 6 pikë nga 3 ndeshjet e para, me një humbje ndaj Polonisë dhe dy fitore ndaj Moldavisë, respektivisht Ishujve Faroe.

Ish futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Nevil Dede tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë rezultat pozitiv ndaj Çekisë dhe Polonisë.

“Dy ndeshjet e radhës do të jenë me dy kundërshtarë direkt që të dy tentojnë të kualifikohen në Euro 2024. Edhe pse të dy kundërshtarët kanë lojtarë cilësorë që luajnë në kampionate të forta, kjo mund të thuhet edhe për kombëtaren tonë. Shoh një entuziazëm të madh, por edhe një ekip që po përpiqet të qëndojë me ‘këmbë në tokë’ dhe që kërkon t’i marrë ndeshjet njëra pas tjetrës, pavarësisht pozicionit që kemi në grup. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Çekisë dhe Polonisë“, tha fillimisht Dede.

Tutje, Dede komentoi edhe largimin e Dakut dhe Mujës nga Kosova dhe kalimin e tyre tek kombëtarja e Shqipërisë.

Janë dy lojtarë që vijnë nga një formë shumë e mirë me skuadrat për të cilat luajnë. Të dy patën mundësinë të përfaqësojnë Kosovën, por të dy donin të luanin për Shqipërinë me çdo kusht. Besoj se kjo dëshirë dhe që ata të vijnë të luajnë për kombëtaren tonë do të sjellë një frymë edhe më pozitive dhe një dëshirë më të madhe për të luajtur për fanellën dhe për ta bërë kombin krenar“, përfundoi Dede.

Dede ka përfaqësuar Shqipërinë në 30 ndeshje. Ai gjithashtu u shpall Futbollisti i Vitit Shqiptar në vitin 2006, kurse ka më shumë se 400 ndeshje të luajtura në nivelin profesionist.
/GazetaBlic Sport/