Sporti

Ilir Mustafa: Nuk festova ndaj Lirisë – u rrita tek ai klub, Malisheva do jetë ‘arrë’ e fortë për të gjithë këtë sezon

10/02/2023 19:03
nga:Lorik J

Skuadra e Malishevës e ka nisur mirë edicionin e ri të Superligës dhe pas 8 xhirosh, ndodhet në pjesën e epërme të tabelë, më saktësisht në vendin e katërt.

Ilir Mustafa, futbollisti i Malishevës thotë se skuadra e tij tashmë ka përvojë në elitën e futbollit kosovar dhe po rriten dita-ditës, teksa lavdëroi stafin për komponimin e lojtarëve mjaft cilësor.

“Mendoj që Malisheva tashmë e ka kaluar atë “jo përvojen” e saj në Superligë, por ajo që dua të them është që jemi një grup super i bashkuar dhe shumica e lojtarëve njihemi shumë mirë mes vete – sepse kemi 2-3 vite që jemi në këtë ekip. Stafi ka bërë një gërshetim të mrekullueshëm me disa lojtarë me përvojë dhe shumicë e lojtarëve të rinjë, ku jemi njëra ndër ekipet me moshën mesatare më të re në Superligë, normalisht që ka shumë vend për përmiresime dhe jemi duke punuar çdo ditë për t’u rritur më shumë si ekip”, tha fillimisht Ilir Mustafa për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas Mustafa shtoi se qëllimi i tyre është të bëjnë një gjysmë sezon sa më të mirë – që në vijim pastaj ta kenë më të lehtë.

“Shpresoj që do të vazhdojmë me lojëra të mira dhe të marrim sa më shumë pikë që të mundemi në këtë gjysmë-sezon që të jemi edhe më të fortë në sezonin e dytë, një gjë është e sigurt që do të jemi arrë e fortë për secilin ekip dhe nuk do të dorzohemi deri në fund të kampionatit”, vazhdoi Mustafa.

Mustafa realizoi golin e fitores ndaj Lirisë në vikend, por nuk festoi ndaj ish ekipit të tij.

“Sa i perket jo festimit tim në golin ndaj Lirisë, mendoj se më e pakta që mund të bëja ishte të mos festoja, sepse nga mosha 7 vjeçare deri ne moshen 22 isha pjesë e tyre dhe jam rritur në atë klub”, përfundoi ai.

Xhiron e ardhshme, Malisheva ballafaqohet me Dritën në xhiron e nëntë.

/GazetaBlic Sport