Me anë të një postimi në rrjetet sociale, presidenti Ilir Meta kërkon rinumërim të votave të pavlefshme, të cilat ishin në një përqindje mjaft të lartë në zgjedhjet e 25 prillit.
Kreu i shtetit ka publikuar këtë të shtunë dy tabelat me të dhënat e votave të pavlefshme që kanë rezultuar në zgjedhjet e vitit 2017 dhe ato të vitit 2013.
Sipas tabelave, në zgjedhjet e vitit 2013 vetëm 1.39 përqind e votave ishin të pavlefshme.
Ndërsa në vitin 2017 vetëm 1.98 përqind votave u shpallën të pavlefshme.
Postimi i plotë i Presidentit:
Në zgjedhjet e vitit 2013 vetëm 1.39 përqind e votave ishin të pavlefshme.
Në vitin 2017 vetëm 1.98 përqind e votave u shpallën të pavlefshme.
Aktualisht, sipas rezultateve paraprake të KQZ, kemi 5 përqind fletë votimi të pavlefshme.
Ndaj numërimi dhe rinumërimi i çdo vote të pavlefshme është vendimtar për të rritur besimin e qytetarëve, të cilët mbajtën radhë të gjata për të shprehur vullnetin e tyre më 25 prill.
Me qetësi dhe transparencë është tepër e rëndësishme, që ky proces, të vazhdojë deri në fund.
Krijimi i fokuseve të tjera, përtej kësaj çështjeje madhore për besimin te zgjedhjet dhe demokracia, është vetem vijim i teatrit të radhës kundër Sovranit dhe vullnetit të Tij.
Deri tani janë rreth 50 mijë vota të pavlefshme më shumë se në vitin 2017 dhe rreth 60 mijë vota të pavlefshme më shumë se në vitin 2013, ndërkohë që 8 vite më parë votuan rreth 80 mijë qytetarë më shumë se sa në zgjedhjet e 25 prillit.
Në demokraci qytetarët marrin pjesë në zgjedhje për t’i dhënë vlerë vullnetit të tyre dhe jo për ta bërë atë të pavlerë.
Të rikthejmë besimin te vlera dhe barazia e votës sa më parë, me transparencë maksimale sipas Kodit Zgjedhor.
Bashkëngjitur statistikat krahasuese të vitit 2013, vitit 2017 dhe 25 prillit 2021. /tch/
LEXO EDHE:
Vuçiqit i pëlqen “non paper” i fundit, flet edhe për forcën e ushtrisë serbe dhe asaj të Kosovës