Lajme

Ilir Meta: Është detyrë e të gjithëve që të hiqen të gjitha pengesat në mes Shqipërisë dhe Kosovës

11/24/2021 22:06
nga:Y I

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka folur në lidhje me barrierat të cilat vazhdojnë të ekzistojnë në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai në ATV ka thënë se marrëdhëniet në mes shqiptarëve janë jo vetëm strategjike dhe vëllazërore por edhe jetike, duke shtuar se është detyrë e të gjithëve që të hiqen të gjitha pengesat në mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet në mes shqiptarëve janë pa diskutim jo vetëm strategjike dhe vëllazërore por edhe jetike për shqiptarët kudo ku janë. Për qytetarët e dy vendeve tona por edhe për gjithë këtë hapësirë ku jetojmë dhe detyra jonë është vetëm të mos krijojmë pengesa, vetëm t’i çlirojmë nga vështirësitë burokratike, nga interesat klienteliste, korruptive sepse besoj që mund të ecët shumë më shpejt në unifikimin e shumë standardeve, shumë procedurave të cilat shumëfishojnë shpejtësinë e qarkullimit në mes qytetarëve, por në mënyrë të veçantë ndërmjet mallrave, kapitaleve dhe në këtë drejtim jemi shumë të vonuar”, tha Meta.

Presidenti Meta tutje ka theksuar se edhe pse janë nënshkruar shumë marrëveshje në mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka pak rezultate konkrete.

“Janë shumë marrëveshje që janë firmosur, por shumë pak rezultate konkrete. Së afërmi kemi një takim të ri në mes dy qeverive dhe shpresojmë të kemi një bilanc dhe një angazhim konkret për rezultate të shpejta, për rezultate konkrete”, ka thënë ai.

Meta po ashtu ka folur në lidhje me taksën në Rrugën e Kombit, për të cilën ai nuk ka qenë dakord duke thënë se duhet të largohet sa më parë.