Kanë përfunduar ndeshjet e ditës së sotme në Superligën e Kosovës në futboll.
Ballkani ka siguruar një nga fitoret më të rëndësishme të sezonit, duke triumfuar ndaj Dritës në Gjilan, shkruan GazetaBlic Sport.
Rezultati përfundimtar ishte 1 me 2, me suhareakasit që me këtë fitore e kanë bërë të ‘zjarrtë’ garën për titullin kampion.
Trajneri Daja ishte shumë i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij, duke thënë se kjo fitore e shton motivin tek skuadra.
“Të luash kundër Dritës është gjithmonë një kënaqësi. Ne dolëm mirë në këtë takim, kjo ishte ndeshja e tretë gjatë javës dhe sigurisht që të dyja skuadrave u mungonte energjia. Jemi ende më të lodhur se të gjitha skuadrat e tjera, por jam krenar për futbollistët që drejtoj, sepse me gjithë angazhimet e mëdha që kemi pasur, ata po luftojnë fort për titullin”, tha Daja.
/GazetaBlic Sport/


