Drita ka kaluar në rundin e dytë të Ligës së Konferencës pas fitores ndaj Deçiqit të Tuzit.
Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu, u kualifikua në rundin e dytë me rezultat të përgjithshëm 3-1 ndaj skuadrës së Mali të Zi.
Drita në rundin e dytë të kësaj gare do të takohet me skuadrën e njohur holandeze, Feyenoord Rotterdam.
Ndeshja e parë do të zhvillohet me 22 korrik në Prishtinë, kurse ndeshja kthyese do të luhet me 29 korrik në Roterdam.
Mbrojtësi i majtë i kësaj skuadre, Ilir Blakçori ka folur para kësaj ndeshje për GazetaBlic Sport.
Blakçori tha se tek kjo skuadër po bëhet punë shumë e madhe, andaj edhe rezultatet janë prezente.
“Kemi fituar një ndeshje shumë të rëndsishme, jemi të lumtur për kualifikimin dhe mendoj që kemi bërë një hap të madh në garat evropiane. Si gjithmonë, Drita po shkëlqen në këto gara dhe nuk është rastësi që jemi këtu. Te Drita bëhet një punë e madhe dhe profesionale si nga kryesia, stafi i trajnerëve dhe të gjithë futbollistët. Dihet që kemi një “ushtri” të madhe pas vetës që janë tifozët “Intelektualët”, tha fillimisht Blakçori për GazetaBlic Sport.

Më pas ai tha se ndeshja ndaj Feyenoordit do të jetë shumë e vështirë, por se do të mundohen të bëjnë më të mirën.
“Është kënaqësi të luash kundër një ekipi siç është Feyenoordi, do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, pasi që dihet çfarë kundërshtari është dhe çfarë niveli luan, por do të mundohemi ta bëjmë më të mirën. Pavarësisht se çfarë do të ndodhë mendoj që është arritje e madhe që të luash kundër Feyenoordit“, përfundoi Blakçori.
/GazetaBlic Sport/


