SHSKUK ka paguar 311,568 Euro për ilaçin në të cilin u gjet copa e metalit në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK.
Injeksioni ceftriaxone brenda të cilit sot u gjet një copë metali në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK, është importuar në Kosovë nga kompania “Liri-Med”, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka gjetur kontratën ndërmjet SHSKUK-së dhe “Liri-Med” e cila është nënshkruar më datën 23 nëntor të vitit të kaluar. SHSKUK ka paguar 311,568 Euro për këtë antibiotik me sasi të planifikuar 1298200 copë.
Bari të cilin e bleu SHSKUK është prodhim i Indisë nga kompania “Syner Medico”. Me këtë emër është licencuar edhe në Agjencinë për Produkte Medicinale, në departamentin e Autorizim Marketingut.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga kompania për këtë produkt dhe për copën e metalit që është gjetur në të, por “Liri-Med” nuk kanë kthyer ende përgjigje në adresën elektronike.
Me rastin janë informuar edhe menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar dhe pritet të njoftohet edhe Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë.