Lajme

IKD: Bojkoti i seancave nga deputetët e VV-së shkel Kushtetutën

10/17/2024 10:23
nga:Sh R

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shprehur shqetësim për bojkotin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj tre seancave të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të Kushtetutës.

Bojkoti ndodhi gjatë seancave që trajtonin çështje si komunikimet e Mimoza Kusari-Lilës me Milan Radoiçiqin, mungesën e ushqimit në Forcën e Sigurisë (FSK) dhe procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive të ambalazhuese të ujit.

IKD-ja ka theksuar se shumica parlamentare ka refuzuar të marrë pjesë në këto seanca pa arsyetim legjitim, duke dëmtuar besimin e qytetarëve dhe integritetin e Kuvendit.

Instituti kërkon që deputetët të angazhohen aktivisht në diskutimet që prekin interesat e qytetarëve, duke respektuar obligimet kushtetuese dhe ligjore.

“Kjo praktikë dhe qasje e LVV është e pazakontë dhe cenon rëndë vlerat demokratike të Republikës se Kosovës. IKD konsideron se debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik, deputetët e shumicës parlamentare e kanë obligim të marrin pjesë në mënyrë aktive në diskutimin e çështjeve që prekin interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Bojkoti i seancave parlamentare dëmton jo vetëm integritetin e Kuvendit por edhe injorim ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet nga ana e IKD-së.

IKD u ka bërë thirrje të gjitha partive politike të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese dhe të kontribuojnë në rrugën drejt integrimit evropian të Kosovës.