Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), prezantoi raportin “Performanca e sistemit të drejtësisë në trajtimin e krimeve speciale”.
Sipas këtij raporti IKD, gjatë vitit 2021, ka evidentuar regres në efikasitetin e Prokurorisë Speciale të Kosovës në krahasim me vitin paraprak, pasi që gjatë vitit 2021, janë zgjidhur më pak lëndë, sesa në vitin 2020.
Bazuar në raportin vjetor të Prokurorisë të Shtetit për vitin 2021, rezulton se PSRK ka pasur në punë 1.989 lëndë, prej të cilave i ka zgjidhur 272, apo 14%, ndërsa të pazgjidhura 1.717 lëndë, apo 86%.
Ramiz Durmishi nga IKD tha se për veprat penale të terrorizmit në vitin 2021 janë zgjidhur 9 raste ku përfshihen 25 persona, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 55 raste, ku përfshihen 139 persona.
Ndërsa për veprat penale, krime lufte gjithsejtë 336 raste kanë qenë të përfshira në punë në këtë vit, ku përfshihen 1.376 persona.
Për këtë çështje, Durmishi theksoi se gjatë vitit 2021 PSRK i ka zgjedhur vetëm pesë raste, ku përfshihen 15 persona, kurse sa i përket mënyrës së zgjidhjes së rasteve nga PSRK për vitin 2021, sipas veprave penale të cilësuara si krim i organizuar, PSRK ka zgjidhur rastet e 54 personave, ku ndaj 29 prej tyre ka ngritur aktakuza, ndaj 8 personave ka hedhur kallëzimet penale dhe ndaj 17 personave i ka pushuar hetimet.
“Për veprat penale të terrorizmit, PSRK gjatë vitit 2021 ka zgjidhur rastet ndaj 25 personave, ku dhjetë prej tyre kanë ngritur aktakuzë, kurse 15 prej tyre i ka pushuar hetimet”, bëri të ditur Durmishi.
Ndërkaq, lidhur me rastet e krimeve të luftës në vitin 2021, Durmishi tha PSRK ka zgjidhur raste ndaj 16 personave, ku ndaj dy personave ka ngritur aktakuzë, për 11 persona i ka hedhur kallëzimet penale dhe për tre persona ka pushuar hetimet.
Ai tha se si gjetje e rëndësishme e këtij raporti është edhe lëshimi i PSRK-së që ka pamundësuar gjykimin meritor në një rast të krimit të organizuar.
Ndërkaq, Aurela Merlaku, ka folur për performancën dhe gjetjet për Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ajo tha se gjatë vitit 20021 ky departament ka qenë i ngarkuar me 72 raste, ndërsa i ka trashëguar nga viti 2020 edhe 66 raste të tjera. “Pra, në total gjatë vitit 2021 Departamenti Special i Gjykatës Themelore ka pas në punë 138 raste prej të cilave ka arritur t’i zgjidhë 37 prej tyre, ndërsa të pazgjidhura kanë mbetur 101 raste “, tha ajo.
Sipas saj në vitin 2020 Departamenti Special ka pasur më pak lëndë vetëm 110, mirëpo ka zgjidhur 51 prej tyre. “Në vitin 2021 kanë qenë të angazhuar 12 gjyqtarë, ndërsa në vitin 2020 kanë qenë vetëm gjashtë gjyqtarë, megjithatë ata kanë përfunduar më shumë lëndë”, tha ajo duke shtuar se IKD, ka evidentuar regres të theksuar në këtë departament.
Ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD i ka bërë punës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Departamentit Special të Gjykatës Themelore dhe atij të Apelit në vitin 2021.


