Në prezantim të raportit “Tendencat për politizim të KPMShCK”, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka theksuar që Projektligji Nr.08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ndërhyn në mënyrë kundërkushtetuese në kompetencat e Këshillit.
Sipas IKD-së, Ligji për KPMShCK ka përcaktuar funksionet e këshillit, ku përcaktohet se ky këshill shqyrton dhe merr vendime për ankesat e nëpunësve civil dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil, por që ky Projektligj synon ta ngushtojë këtë funksion të KPMShCK.
Tutje, gjatë prezantimit të këtij raporti, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala ka thënë se sipas Projektligjit, KPMShCK nuk do të ketë kompetencë të vendosë për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese.
Ai tha se kundër këtyre vendimeve, pala ka të drejtë të hap konflikt administrativ në gjykatën kompetente në pajtim me ligjin përkatës për konfliktet administrative.
“Kjo dispozitë, është në kundërshtim me frymën dhe qëllimin e nenit 101 të Kushtetutës, duke kufizuar kompetencat dhe përgjegjësitë e Këshillit me ligj, përderisa të njëjtat janë të garantuara me Kushtetutë”, ka theksuar Shala.
Po ashtu, Shala tha se Neni 101 i Kushtetutës flet për një sistem unik të shërbimit civil dhe një Këshill të vetëm që kujdeset për këtë shërbim dhe se ky nen, nuk lejon shmangie ligjore të këshillit nga ky rol.
“Kështu, përderisa KPMShCK është institucion kushtetues dhe si i tillë kujdeset për gjithë shërbimin civil, pakësimi i kompetencave të këtij Këshilli me ligj është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën”, ka thënë Shala.
Ndryshe, më 30 shtator 2022, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte miratuar Projektligjin Nr.08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në fazën e konsultimit publik, ky Projektligj përmbante vetëm katër nene, derisa i njëjti projektligj në Qeveri është miratuar me nëntë nene.
Aktualisht, ky Projektligj është duke u shqyrtuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Më 17 tetor 2022, ky projektligj është miratuar në parim nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Komunat të pakënaqura me buxhetin për vitin 2023 – Kanë disa kërkesa


