Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë drejtuar Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, për inicimin e debatit parlamentar lidhur me moszbatimin e legjislacionit pozitiv për realizimin e të drejtës në pensionin e moshës, krahas pensionit dhe beneficioneve të përcaktuara me ligjin për kategoritë e dala nga lufta.
Kërkesa u dorëzua nga hulumtuesit e lartë të IKD-së, Arrita Rezniqi dhe Naim Jakaj.
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se çdo përfitues i pensionit të moshës ka të drejtë ligjore edhe për pensionin që buron nga Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta, nëse i plotëson kriteret përkatëse, duke theksuar se assesi nuk lejohet t’iu kërkohet qytetarëve të zgjedhin mes njërit apo tjetrit pension.
“Si IKD, gjatë dy apo tre viteve të fundit, kemi pasur në vazhdimësi një angazhim lidhur me kërkesën për zbatimin e drejtë të legjislacionit pozitiv, me qëllim që qytetarëve të Republikës së Kosovës, përkatësisht pensionistëve, t’u garantohet realizimi i të drejtës për pensionin e moshës, krahas pensionit që përfitojnë sipas Ligjit për kategoritë e dala nga lufta”, tha Rezniqi.
Ajo tha se pas shqetësimeve të para në fund të vitit 2023, IKD ka realizuar një analizë juridike përmes së cilës ka konstatuar se legjislacioni në fuqi u lejon qytetarëve të këtyre kategorive të drejtën për përfitimin e dy pensioneve, e cila e drejtë është konfirmuar dhe konsoliduar edhe përmes praktikës gjyqësore deri në nivelin e Gjykatës Supreme.
“Kjo e drejtë ishte konfirmuar dhe konsoliduar edhe përmes praktikës gjyqësore, deri në nivelin e Gjykatës Supreme”, tha Rezniqi.
Rezniqi tha se Ligji për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre, është ligj i veçantë në raport me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe se me asnjë dispozitë ligjore nuk është shfuqizuar neni 23 i këtij ligji.
“Rrjedhimisht, kjo do të thotë se të gjithë ata që arrijnë moshën e pensionimit, e kanë edhe të drejtën që u takon si kategori e dalë nga lufta dhe assesi nuk lejohet që t’u kërkohet të zgjedhin në mes njërit apo tjetrit pension, apo t’i mohohet e drejta në realizimin e të dy këtyre pensioneve.”, tha Rezniqi.
Ajo u shpreh se, pavarësisht letrës sqaruese drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në fillim të vitit 2024, kjo praktikë vazhdon të zbatohet edhe sot, duke prodhuar vendime refuzuese për qytetarët.
Më tutje, Rezniqi tha se për shkak të mungesës së një zgjidhjeje kolektive, IKD ka iniciuar raste individuale gjyqësore përmes Qendrës për Ndihmë Juridike Falas, duke paraqitur rreth 700 padi, për të cilat aktgjykimet e pranuara deri tani kanë qenë të gjitha aprovuese.
“Fatkeqësisht, ka prej tyre, që ne vend se të arrijnë t’i marrin pensionet që u takojnë, kanë vdekur gjatë kohës sa rastin e kishin në procedurë, duke pritur vendimin e gjykatës dhe duke e pasur kështu të pamundur që ta realizojnë të drejtën e tyre”, u shpreh Rezniqi.
Ajo theksoi se kjo situatë ka stërngarkuar gjykatat dhe ka prodhuar kosto shtesë për financat publike, përfshirë shpenzimet procedurale, kompensimet retroaktive dhe kamatën ligjore.
Nga ana e tij, Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, tha se kërkesa është dorëzuar me qëllim që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ushtrojë përgjegjësinë e tij kushtetuese mbikëqyrëse dhe të hapë debat parlamentar për këtë çështje.
Jakaj tha se IKD, edhe gjatë legjislaturave të kaluara, ka pasur bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës dhe se sot po vazhdon këtë angazhim duke kërkuar inicimin e një mocioni përmbajtësor për zhvillimin e debatit parlamentar lidhur me moszbatimin e ligjit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
“Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një problem sistemik, duke pasur parasysh që Kuvendi i Kosovës, ekzekutivi nuk duhet me pa normën ligjore vetëm abstrakte dhe strikte, por të zbatimit të saj- por ta shoh edhe dimensionin social të kësaj norme, ne kërkojmë që të zhvillohet një debat parlamentar brenda dy-tre jave ose brenda një muaji, në mënyrë që Mininstria e Financave dhe Ministria e Punës, të nxjerrin një rezolutë përmes së cilës Kuvendi i Kosovës tregon për cilat arsye nuk është nxjerrë ky akt nënligjor që e realizon të drejtën për përfitim të pensionit të dyfishtë”, tha Jakaj.
Ai shtoi se debati duhet të trajtojë pasojat juridike, sociale dhe financiare të këtij mosveprimi, si dhe nevojën për veprim urgjent të MFPT-së për garantimin e zbatimit të ligjit dhe respektimin e praktikës gjyqësore.


