Lajme

IKD gjenë disa vërejtje në rregulloren e re të punës së Kuvendit

03/29/2022 10:40
nga:N M

Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Jeton Hasani, ka thënë se Draft-Rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh sanksione financiare për deputetët që nuk njoftojnë për mungesa në seanca plenare apo mbledhje të komisioneve.

Sipas tij, megjithëse një sanksionim i tillë është i mirëpritur, Rregullorja duhet të njohë edhe format legjitime të veprimit politik që nuk kufizohen me pjesëmarrje fizike në seancë, siç është bojkoti opozitar.

Një gjë të tillë Hasani e tha në konferencën për media të mbajtur të martën, ku është prezantuar analiza “Rregullorja e re e Punës së Kuvendit: mes nevojës për efikasitet dhe respektim të Kushtetutës”.

“Duhet pasur parasysh që veprimet politike nuk mund të kufizohen vetëm në pjesëmarrje fizike të deputetëve. Rregullorja e re duhet të njohë, në raste të caktuara, të drejtën e deputetëve për bojkot opozitar të punës së parlamentit, si formë legjitime e veprimit politik. Krahas obligimit për pjesëmarrje në seanca dhe mbledhje të komisioneve, përcaktimi që deputeti “ka për detyrë dhe obligim që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, duke ushtruar të drejtën e tij për të votuar ‘për’, ‘kundër’ ose ‘abstenim’” është i papranueshëm. Konform Kushtetutës, “ligjet, vendimet dhe aktet tjera miratohen nga Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, përveç në rastet kur është ndryshe e përcaktuar me këtë Kushtetutë”, me kusht që në seancë të jenë prezent më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve. Që do të thotë, Rregullorja tenton që edhe deputetët opozitarë t’i obligojë të formojnë kuorumin e nevojshëm për përmbushje të agjendave parlamentare të partive në pushtet (kjo do ishte veçanërisht problematike në rastet kur kërkohet shumicë e kualifikuar për vendimmarrje, siç është rasti me zgjedhjen e Presidentit). Në anën tjetër, një përcaktim i tillë mund të jetë i pafavorshëm edhe për partitë në pushtet, duke qenë se edhe aktet e rëndomta parlamentare do të kërkonin shumicë të lartë për vendimmarrje (që varet nga numri i deputetëve që marrin pjesë në votim). Deputetët nuk mund (dhe nuk duhet) të obligohen të marrin pjesë në votim. Obligimi i tyre për pjesëmarrje duhet të përmbushet thjeshtë me prezencë fizike në punime të Kuvendit”, deklaroi Hasani. /BetimipërDrejtësi

Tërmeti godet Suharekën