Lajme

IKD: Bllokada institucionale rrezikon mbi 34 milionë euro nga Plani i Rritjes

08/21/2026 12:28
nga:L J

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka paralajmëruar se bllokada institucionale në Kosovë mund të rrezikojë mbi 34 milionë euro nga Plani i Rritjes për zhvillimin e sektorit privat.

Sipas IKD-së, Kosova duhet të përmbushë deri në fund të vitit 2026 shtatë reforma në kuadër të Fushës 3, me vlerë rreth 34.4 milionë euro. Reformat lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e investimeve dhe qasjen në financa.

IKD thekson se një pjesë e këtyre reformave kërkon miratimin e ligjeve në Kuvend, ndërsa institucionet ende nuk janë funksionalizuar plotësisht.

Me më shumë se katër muaj në dispozicion për përmbushjen e reformave, instituti paralajmëron se vonesat mund të bëjnë që Kosova të mos i përmbushë obligimet në afat dhe të rrezikojë fondet.

“Kanë mbetur pak më shumë se katër muaj për zbatimin e reformave të kërkuara në kuadër të Fushës 3 të Planit të Rritjes. Çdo vonesë e mëtejshme ngushton kohën në dispozicion për miratimin e legjislacionit, marrjen e vendimeve dhe funksionalizimin e mekanizmave të nevojshëm, duke rritur rrezikun që Kosova të mos i përmbushë brenda afatit obligimet që vetë i ka marrë përsipër në Agjendën e Reformave dhe, si rrjedhojë, të rrezikojë përfitimin e mbi 34 milionë eurove”.

Sipas IKD-së, pasojat e bllokadës nuk do të jenë vetëm politike, por mund të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ekonomi dhe te qytetarët.