Në një prononcim dhënë për GazetaBlic, ish ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi, ka treguar për trajtimin e shtretërve të lumenjëve në Kosovë dhe njoftimin e ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu, i cili ditën e martë ka njoftuar se ka filluar puna për pastrimin e shtretërve të lumenjve të Kosovës.
Ky njoftim sipas ish ministrit të këtij dikasteri po cilësohet veprim keqardhës, ku sipas tij po shihet vetëm në muajt e fundit të qeverisjes.
“Trajtimi që i kemi bërë shtretërve të lumenjëve si shoqëri, është për kritikë. Ashtu si kam thënë në vitin 2018, dhe ashtu siç kemi vepruar për dy vite në MMPH, shtretërit e lumenjëve kërkojnë mirëmbajtje, njëjtë si kërkohet mirëmbajtja e rrugëve”, tha ai.
Sa i përket njoftimit të ministrit Aliu për rregullimin e tetë shtretërve të lumenjëve të Kosovës, Matoshi potencon se ky trajtim ndaj lumenjëve duhet të bëhej çdo vit.
“Sado që e përshëndes këtë veprim të qeverisë, është për keqardhje që veprime të këtilla nga qeveria aktuale po shohim vetëm në muajt e fundit të qeverisjes. Do të duhej që pastrimi dhe mirëmbajtja e lumenjëve të ndodhte secilin vit, dhe të mos kufizohej vetëm në disa lumenjë”, thekson ish ministri.
Tutje ai, tregon cilësinë e ujit të dalur nga Miniera e Komunës së Artanës, ku sipas tij ky ujë është tepër i dëmshëm për gjallesat në të dhe përdorimin e tij nga qytetarët për ujitje.
“Do të dëshiroja shumë që të trajtohej edhe uji që del nga Miniera e Artanës, për të cilin kemi përfunduar studimet sepse është tepër i dëmshëm për gjallesat në ujë, për qytetarët që e përdorin atë ujë si edhe për tokat bujqësore që ujiten prej tij.
Matoshi apelon që ujërat e zeza të mos derdhen në lumenjë dhe të ketë investime serioze për trajtimin e tyre.
“Degradimi që kanë pësuar shtretërit e lumenjëve kanë ndikim të madh edhe në vërshimet me të cilat përballemi kohë pas kohe. Po ashtu duhet që ujërat e zeza të largohen, të mos derdhën më në shtretërit e lumenjëve dhe të fillohen investime serioze për kolektorët dhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza. Jemi duke punuar në detaje në programin e ri qeverisës i cili do të trajtojë këtë problem, dhe mandati që vjen besojë të jetë fundit i kësaj gjendje në shtretërit e lumenjëve tanë”, përfundoi Fatmir Matoshi.
/GazetaBlic/


