Lajme

IFIMES: Nuk ka kushte normale për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës

04/18/2023 11:32
nga:Astrit Gashi

Kushdo që zgjidhet në zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës nuk do të ketë pushtet real sepse në thelb do t’i mungojë legjitimiteti, sipas analizës së Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) dhe theksohet se për shkak të kësaj procesi zgjedhor nuk ka shumë kuptim dhe nuk do të zgjidhë problemet thelbësore, siç është kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës, si dhe nga fakti që aktualisht nuk ka kushte normale për mbajtjen e zgjedhjeve, shkruan GazetaBlic.

Me rastin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen më 23 prill në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, IFIMES analizoi situatën aktuale politike në analizën me titull “Ndërprerja e përhershme e lidhjeve ndërmjet komunitetit serb dhe autoriteteve në Prishtinë?” në të cilën thekson se bashkësia ndërkombëtare, me miratimin e zgjedhjeve të parakohshme, po thellon krizën ekzistuese dhe ndoshta përgjithmonë po i shkëput lidhjet mes komunitetit serb dhe autoriteteve në Prishtinë.

Kujtohet se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Kosovë do të mbahen në katër komuna të veriut të Kosovës me shumicë serbe – në Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, ku do të zgjidhen kryetarët e komunave.

Shtohet se zgjedhjet fillimisht ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, por për shkak të situatës së pafavorshme të sigurisë, përfundimisht u shtynë për 23 prill, ndërsa fushata zyrtare zgjedhore zgjat nga 4 deri më 21 prill.

Duke thënë se partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e fuqishme të Beogradit zyrtar, nuk ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet e  tyre për t’u kthyer në institucionet e Kosovës, e që përveç shtyrjes së vendimit për ri-regjistrimin e automjeteve, janë edhe kërkesa për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës, gjegjësisht nga zonat serbe.

Gjithashtu theksohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) ka vendosur që numrin e vendvotimeve nga 44 ta ul në vetëm gjashtë sosh dhe se është miratuar që të hapen 13 qendra alternative të votimit.

Negociatat mes Beogradit zyrtar dhe Prishtinës në periudhën e kaluar, të cilat rezultuan me një marrëveshje verbale nga Ohri, nuk e zgjidhën çështjen e kthimit të përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës, si dhe çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale për katër komuna në veri të Kosovës.

Pritej që pas takimit në Ohër, gjërat për zgjedhjet në veri të Kosovës të ishin më të qarta, por që edhe Lista Serbe të ndryshonte vendimin dhe të merrte pjesë në to, gjë që nuk ndodhi.

Në analizë thuhet se, sipas të dhënave të KQZ-së, dy nga katër komunat në veri të Kosovës do të kenë kandidatë për kryetarë komunash, të cilët vijnë nga partitë serbe – Leposaviqi dhe Zveçani.

Kandidatët për komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potok vijnë ekskluzivisht nga partitë politike shqiptare.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Memli Krasniqit kanë kandidatët e tyre për kryetar komunash në të katër komunat me shumicë serbe.

“Nga gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, vetëm dy janë nga radhët e komunitetit serb. Kjo do të çojë në gjendjen që në komunat ku serbët përbëjnë më shumë se 96 për qind të popullsisë lokale, krerët e komunave do të jenë shqiptarë etnikë me pjesëmarrje të papërfillshme në zgjedhje”, thuhet në analizën e IFIMES.