Shkrimtari dhe Publicisti Veton Surroi, ka folur në emisionin Rubikon në Klan Kosova rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Surroi foli edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ai tha se ideja se njëherë të zbatohet Marrëveshja e Asociacionit, e më pas të hyjmë në negociata, është e gabueshme.
Ish-anëtari i ekipit negociator për zgjidhjen e statusit të Kosovës, theksoi se nëse shkohet kështu, kjo do të thyente sistemin, rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës.
Sipas tij kjo ka qenë e gabuar qysh nga viti 2013-të.
“Ideja të fillojmë njëherë me zbatimin e Asociacionit e pastaj hyjmë në negociata është e gabueshme, sepse ajo nënkupton që të thyhet sistemi, rendi kushtetues dhe juridik i Kosovës fillimisht e pastaj pasi të thyhet ai rend të fillojmë dhe të merremi me normalizim. Ka qenë e gabuar në vitin 2013-të kur e kanë pranuar, ka qenë e gabueshme në vitin 2015-të dhe është e gabueshme edhe sot nëse dikush mendon që Kosova do të hyjë në proces negociator të tillë. Nuk mendoj se do të ketë proces negociator, i cili fillon me “Hajde të shohim se çka ka e si t’ja bëjmë me Asociacion” – tha Surroi në Rubikon.


