Legjenda e futbollit suedez, Zlatan Ibrahimoviq, ishte i ftuar në emisionin “(Pa)suksesi i kampionëve”, që transmetohet në Arena Sport. Ky është intervisti i parë që Ibrahimoviqi ka dhënë ndonjëherë në gjuhën e tij amtare, çka ka tërhequr vëmendje të madhe të publikut.
Ibrahimoviq ndau edhe një anekdotë të pazakontë nga fillimet e karrierës së tij, pas nënshkrimit të kontratës së parë profesionale me Ajaxin.
“Kur nënshkrova kontratën me Ajaxin, nëna ime mendoi se kisha vdekur. Ajo pa vetëm fotografinë time në televizor dhe më telefonoi menjëherë për të më pyetur: ‘Çfarë ka ndodhur?’”, rrëfeu Ibrahimoviq.
Ai shtoi se më pas e qetësoi nënën duke i shpjeguar se bëhej fjalë për një lajm të mirë.
“I thashë se do të luaja për Ajaxin si futbollist profesionist”, tregoi sulmuesi legjendar.
Episodi i parë i këtij intervisti do të transmetohet të hënën, më 5 janar, në orën 20:00, në kanalin Arena Sport 1, dhe pritet me interes të madh nga tifozët e futbollit.


