Zlatan Ibrahimovic tregoi anën e tij tjetër emocionuese. Futbollisti suedez shpërtheu në lot kur u shfaq në emisionin live dhe iu bashkua aksionit për të mbështetur mikun e tij Thijs Slegers.
Ky është një gazetar holandez dhe zëdhënës i PSV-së, i cili prej kohësh trajtohet për kancer. Së fundmi ai ka bërë të ditur se sëmundja e tij është e pashërueshme. Prezantuesja e pyeti Zlatanin nëse i kujtohet momenti kur u takua me Thijs. Kjo u pasua me një fjalim emocionues nga sulmuesi 41-vjeçar i Milanit, i cili u takua me Thijs teksa luante në Ajax.
Een emotionele Zlatan Ibrahimović met prachtige woorden voor Thijs Slegers❤️
— ESPN NL (@ESPNnl) February 13, 2023
“Do ta kujtoj gjithmonë. Ai ishte shoku im i vetëm në Holandë, kur isha i humbur, i ri, i hutuar dhe mendova se nuk kisha njeri. U shfaq ky gazetar që më kontaktoi dhe duhet të them, në atë kohë gazetarët nuk ishin miqtë e mi. Por ai vendosi të më kontaktonte vetë, për të bërë atë kontaktin e parë, u takuam për drekë dhe që atëherë u bëmë miq shumë të mirë. Luajtëm tenis së bashku, u shoqëruam, ai më ndihmoi shumë, më dha një pasqyrë në atë se si funksionojnë gjërat në Holandë. Kam shkruar edhe për Thijs në librin tim, i kam qenë gjithmonë mirënjohës për gjithçka”, tha Ibrahimović.
“Ai ishte gjithmonë në zemrën time. Thijs, e vetmja gjë që dua të them tani është se të dua miku im”, shtoi Ibra dhe shpërtheu në lot dhe më pas vetë Thijs nuk i ndaloi dot lotët.


