Lajme

Ibrahimi: Viti 2025 do të jetë i vështirë për ekonominë

03/14/2025 21:45
nga:Sh R

Në emisionin “EURO n’T7” është diskutuar për pasojat në ekonomi si rrjedhojë e vonesës së krijimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ekspertët e ekonomisë kanë konstatuar se vonesat në formimin e qeverisë mund të kenë pasoja katastrofale, pasi edhe gjatë mandatit katërvjeçar, ekonomia nuk ka qenë prioritet i qeverisë Kurti.

Ilir Ibrahimi nga Klubi i Bizneseve ka theksuar se situata politike e paqartë mund të ketë pasoja të paparashikueshme për ekonominë.

“Mungesën e qeverisë bizneset e ndjejnë menjëherë, pasi nuk kanë informacione për drejtimin e politikave të reja. Koha pas zgjedhjeve dhe deri në krijimin e qeverisë shkakton pasoja të mëdha në ekonomi, veçanërisht në Kosovë, për shkak të varësisë nga investimet kapitale të qeverisë. Kjo vonesë tashmë po vërehet me mungesë të likuiditetit në sektorin financiar dhe bizneset, duke ndikuar edhe në stagnimin e mëtejshëm të investimeve të huaja”, tha Ibrahimi.

Sipas tij, bizneset po hezitojnë të investojnë për shkak të pritjeve për prioritetet e qeverisë së re.

“Në aspektin ekonomik, kjo bllokadë politike do të ketë ndikim të madh. Unë pres që përpara nesh të kemi një vit të vështirë ekonomik”, përfundoi ai.