Lajme

Ibrahimi: Stoltenberg dha mesazhin e qartë në konferencë me Kurtin dhe Vuçiq

08/17/2022 18:37
nga:G B

Analisti politik Ilir Ibrahimi ka thënë se sekretari i përgjithshëm i NATO-s e ka dhënë sot një mesazh të qartë në konferencën që pati me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe në atë me presidentin serb Aleksander Vuçiq.

“Sekretari i NATO-s dha mesazh shumë të qartë që problemet dhe mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me dialog, me bisedime. Nuk e ka pasur qëllim t’i pajtojë por t’ua japë mesazhin e qartë që nuk mund të luhet apo përdoret kjo lloj gjuhe apo provokim të situatës sepse KFOR-i nuk do të jetë pasiv në këtë rast”, ka thënë Ibrahimi në Info Magazine.

Sipas tij, një takim i tillë ka qenë i pritur, pasi siç thotë ai, NATO-ja e ka nën kompetencat e saj sigurinë e Kosovës.

“Duke e pasur parasysh që KFOR-i si pjesë e NATO-s e ka mandatin e sigurisë në Kosovë, një takim i tillë ka qenë i pritur, sepse në fund të fundit siguria e Kosovës i takon KFRO-it në këtë rast dhe sekretari i NATO-s po besoj e ka bërë të qartë presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurit, se këtu nuk mund të luhet me këtë çështje sepse KFOR-i e ka kapacitetin dhe mandatin për të siguruar paqe në Kosovë, mos të harrojmë se pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, KFOR-i e kishte mandatin e gjithë sigurisë dhe kishte 60 mijë trupa”, shtoi ai.

Ibrahimi tha se Kosova nuk kërcënohet derisa e ka KFOR-in brenda.

“Duhet pasur kujdes se çështja e veriut është shumë sensitive dhe nuk duhet të ndërmerret asnjë hap pa konsultim të ngushtë me ndërkombëtarët”.