Lajme

Ibrahimi shpreh ngushëllime për viktimat në Pejë: Sa më shpejt Qeveria të themelojë fondin emergjent për komuna

06/25/2023 11:45
nga:G B

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur ngushëllime për dy viktimat nga vërshimet në Pejë.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë për Gazeta Blic se duhet të themelohet sa më shpejt fondi emergjent për komunat, në mënyrë që qytetarëve të mund t’u dalin menjëherë mjetet dhe jo të presin me muaj.

“Kërkohet sa më shpejt themelimi i fondit emergjent për komuna. Arsyeja është që komunat me ato mjete mund t’i dalin në ndihmë menjëherë qytetarëve e jo që qytetarët të presin me muaj e me muaj përkrahjen nga niveli qendror. Kjo është e domosdoshme”, shprehet Ibrahimi.

Ai thekson se komunat po mundohen t’i ndihmojnë qytetarët me kapacitetet që kanë, por që duhet këtë ta bëjë niveli qendror, teksa pyet se edhe sa fatkeqësi duhet të ndodhin që Qeveria  të ndryshojë politikat burokraktike për kompensimin e dëmeve.

“Komunat po mundohen me kapacitete të plota t’i ndihmojnë qytetarët e prekur nga vërshimet, por miliardat e eurove qëndrojnë në nivel qendror e jo në komuna. Edhe sa fatkeqësi duhet të ndodhin në mënyrë që Qeveria të ndryshojë politikat burokraktike për kompensimin e dëmeve ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, deklaron Sazan Ibrahimi./Gazeta Blic/