Lajme

Ibrahimi: Qeveria po i sheh komunat si person fizik, po merr vendime pa konsulta me to

05/15/2023 19:04
nga:G C

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka folur për kërkesat që ky institucion i pati sot në takim me kryeministrin, Albin Kurti dhe disa ministra.

“Ishte kërkesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës që të takohet me kryeministrin Kurti dhe me disa ministra të dikastereve të Qeverisë së Kosovës në mënyrë që të diskutohen, por jo vetëm të diskutohen, sepse i kemi diskutuar pothuajse që një vjet por edhe t’i gjejmë zgjidhje disa problemeve dhe shqetësimeve me të cilat komunat e Republikës po ballafaqohen qe një kohë të gjatë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai më tej ka thënë se çështja e tatimit në pronë, pronat komunale që sipas tij u rimorën nga Qeveria pa konsulta e granti i katërt, ishin disa nga temat e diskutimit.

“Nën një është çështja e tatimit në pronë, pastaj është granti i katërt të cilin pothuajse më shumë që dy vite jemi duke e kërkuar. Ne kërkojmë, Qeveria shkon e heq prej agjendës legjislative, nuk e kthen, tash thotë jo vitin e ardhshëm. Problemi tjetër është ndërhyrja drastike në kompetencat e komunave, tendenca e centralizimit apo marrjes së kompetencave nga niveli lokal në nivelin qendror. Gjithashtu janë edhe problemet sa i përket pronave komunale, të cilat janë marrë njëherë pastaj nën udhëheqjen e kësaj qeverie iu rimorën disa raste komunave pa konsulta fare”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit vendimet për komunat po merren pa konsultim me to.

“Pastaj është problem edhe procedimi i ligjeve, me të cilat ligje niveli lokal mund të humbë buxhete, para publike, por gjithashtu edhe respektimi ndaj institucioneve të nivelit lokal. Nuk bën që Qeveria t’i shohë komunat si persona fizik, sepse edhe komunat janë institucione shtetërore. Pra të kemi një bashkëpunim të sinqertë me nivelin lokal, e jo vendimet të mirren nëpër ndërtesa qeveritare, në konsulta me grupe teknike, pa asnjë konsultim me hisedarët kryesorë – komunat”, tha Ibrahimi në Ditari në Tëvë 1.

Duke folur për Ligjin e Tatimit në Pronë, ai tha se është amandamentuar në mënyrë klandestine.

“Tash e kemi amandamentimin e Ligjit për Tatimin në Pronë, është amandamentuar në mënyrë klandestine, pa asnjë konsultë me kryetarët e komunave, në mënyrë arbitrare. Ministri Murati ka theksuar që ai e ka konsultuar një grup teknik, mirëpo buxhetet e komunave preken, preken dhjetëra miliona euro”, ka deklaruar ai.